“Durrës Yachts & Marina”, më i madhi i Mesdheut/ Tetë porta të reja nga ajri e qielli për një Shqipëri komplet ndryshe

TIRANË, 16 prill /ATSH – I. Vata/ “U zyrtarizua ndërtimi i porti më të madh turistik të Mesdheut në Durrës”, tha sot kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se nga pikëpamja e impaktit ekonomik dhe social do jetë Dubai i Adriatikut.

Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se deri dje, “thosha një nga më të mëdhenjtë, sepse kompania dhe shefi i saj më kishin thënë se do jetë më i madhi i Mesdheut”.

“Është porti turistik më madh i Mesdheut dhe nuk po e ndërton dikush që thjesht ka lekë por po e ndërton njeriu që bëri Dubain, po e ndërton njeriu që ka kompaninë, që ka firmën e vet në ndërtimet më spektakolare të Emirateve dhe plot vendeve të botës dhe do të jetë nga pikëpamja e prezencës në Mesdhe, nga pikëpamja e impaktit ekonomik dhe social, do jetë Dubai i Adriatikut”, tha ai.

Rama tha se është një investim që do të financohet nga kompania, është një investim privat nga A-ja te Zh-ja.

“Është një investim me vlerë 2 milardë euro, investim që Shqipëria se ka pasur kurrë, por nuk është i vetmi. Është investimi tjetër në portin turistik të Vlorës që e ndërton një sipërmarrje shqiptare. Është shumë më i vogël nga pikëpamja e parave por është me vlerë 250 milionë. Është investimi tjetër që po ndërtohet  nga një sipërmarrje shqiptare dhe ka filluar punë për  portin turistik të Sarandës, 250 milionë. Porti turistik i Shëngjinit është i katërti që nuk e kemi sot në këtë fazë të avancuar si të tjerët por fillon besoj në vitin 2023. Janë katër porta të reja që i hapen Shqipërisë nga deti. Janë katër të tjera. Tirana porta kryesore që zgjerohet nga ajri sepse fillon investimin 99 milionë euro të kontraktuar për terminalin e ri, për zgjatjen e pistës dhe për futjen e pistës së Rinasit në standarde që të mbajë avionë për fluturime transoqeanike se ne do ta çojmë “Fan Nolin” në New York dhe do i sjellim shqiptarët nga New York në Tiranë direkt. Është aeroporti i Kukësi që hapet për dy ditë dhe do pres çunat e Londrës më datë 18. Është aeroporti i Sarandës që do të lançohet menjëherë pasi të firmoset kontrata për Vlorën, punë ditësh. Janë katër porta nga qielli, pra 8 porta të reja, plus dy portet e reja tregtare, ai i Durrësit që do spostohet nga qyteti dhe do shkojë në Porto Romano dhe ai i Vlorës tek triporti. Është një Shqipëri e re komplet”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.