Çuçi: Më 25 prill votoni alternativën e vetme që ka Shqipëria, PS

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ “Më 25 prill votoni alternativën e vetme që ka Shqipëria, PS”, tha sot kandidati për deputet i PS për qarkun Gjirokastër Bledi Çuçi, ndërsa theksoi se një epokë e re po lind për Shqipërinë, po lind për Gjirokastrën, besimi te politika.

Në fjalën e tij gjatë takimit në Gjirokastër Çuçi tha se, “ka qenë një rrugëtim fantastik në këtë fushatë elektorale dhe ne socialistët jemi ndjerë krenarë në të gjithë këto ditë që kemi folur bashkë sepse më në fund e kemi kuptuar edhe ju dhe ne që një epokë e re po lind për Shqipërinë, po lind për Gjirokastrën sepse në themel të kësaj epoke të re, më në fund po vendoset  besimi i njerëzve, i publikut i shqiptarëve tek politika. Ky besim që ishte shkatërruar në të gjithë këto vite tranzicion”.

“E pra, është ky besim një garanci e jashtëzakonshme që të vazhdojmë këtë rrugëtim që kemi nisur bashkë dhe unë jam shumë i sigurt që ky rrugëtim do të vazhdojë. Unë jam i sigurt që gjithë Gjirokastra nuk ka alternativë tjetër veç Partisë Socialiste, ndaj ju ftojë të gjithëve që jemi këtu, të gjithë miq që keni, të gjithë të afërmit, familjarët, të gjithë kolegët që ti merrni dhe ti nxirrni me 25 prill për të votuar alternativën e vetme që ka Shqipëria, sepse nuk ka forcë tjetër veç Partisë Socialiste për ta bërë Gjirokastrën dhe Shqipërinë, sepse nuk ka lider tjetër kryeministër tjetër veç Edi Ramës për ta bërë Gjirokastrën dhe Shqipërinë”, përfundoi ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.