Basha në Shijak: Mbaroi koha e premtimeve të pambajtura, qeveria e ndryshimit u përket të gjithë shqiptarëve

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Shijaku ishte ndalesa e radhës në rrugëtimin jug-veri të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha bëri thirrje që mos t’i besoj njeri premtimet e Ramës sepse nuk ngopet njeri me lugën bosh.

Kreu i opozitës gjithashtu u shpreh se nuk mund t’i hapet dera për herë të tretë një kryeministri që pas 8 vite dështimesh, guxon të bëj fushatë me premtime 3D. Basha tha se koha e premtimeve të pambajtura ka mbaruar.

“Këtu në Shijak, njësoj si në Durrës e në gjithë zonat e goditura nga tërmeti, është bërë abuzimi më i madh me fondet e rindërtimit në kurriz të familjeve të goditura nga tërmeti.  Ju garantoj të gjithë qytetarëve, pas 25 prillit i pret drejtësia, i pret burgu. Ndërkohë që fondet e tërmetit janë vjedhur dhe janë abuzuar, ndërkohë që familjet shqiptare kaluan të dytin dimër në të ftohtë, sheikët e Edi Ramës dhe ai vetë u shtruan me dreka e darka 1 mijë euro biftekun dhe sot ka guximin të dalë para jush prapë e të premtojë pas 8 vjet premtimesh të pambajtura. Ku e gjen guximin pas 8 vitesh të vijë dhe të kërkojë me lugën bosh përrallat që nuk i ha askush, lugën bosh që  nuk ia pranojnë kurrë. Shijaksit, durrsakët do t’i japin ujë në bisht të lugës  me 25 prill”, tha Basha.

Basha tha se koha e Edi Ramës ka mbaruar dhe shumica e shqiptarëve janë për ndryshim.

“Edi Rama koha jote ka mbaruar, koha e premtimeve të pambajtura ka mbaruar ndaj nuk ka dhe nuk do të ketë edhe 4 vjet të tjera. As 4 orë të tjera nuk i duron dot Shijaku, nuk i duron dot Durrësi, nuk i duron dot Shqipëria. 25 prilli është dita e ndryshimit. Brenda 100 ditëve të para do hapim negociatat dhe do çojmë Shqipërinë aty ku u nis, nga sheshet e Shijakut, Kavajës, Durrësit, Shkodrës dhe Tiranës, Shqipërinë si gjithë Europa. Shqipërinë do ta bëjmë si gjithë Europa! Shqipërisë do t’i hapim negociatat më 25 prill duke votuar numrin 9”, përfundoi Basha. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.