8 portat që po hapen nga deti e ajri në Shqipëri, do të shumëfishojnë turistët

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra ku e vijoi turin e tij elektoral deklaroi se 8 portat që po hapen në Shqipëri nga deti e ajri, që nënkuptojnë 4 porte dhe 4 aeroporte do të shumëfishojnë turistët që do vijnë në Shqipëri ashtu si edhe të ardhurat që do të krijohen prej kësaj industrie.

“Ne zyrtarizuam nisjen e punës konkrete në kantierin më të madh që Shqipëria do të ketë në 4-5 vitet e ardhshme kantierin e ndërtimit të portit më të madh turistik në Durrës, i cili bashkë me atë të Vlorës e Sarandës e Shëngjinit do të jenë 4 porta të reja hyrëse për të shumëfishuar numrin e turistëve, investitorëve e miqve të Shqipërisë që do të hyjnë në këtë vend e siç ndodh gjithmonë do të bien në dashuri me këtë vend e do të duan të rikthehen në këtë vend”, deklaroi Rama.

Po ashtu, kryeministri informoi se do të ketë edhe katër porta të reja nga qielli. “Nesër në Kukës hapet një portë e dytë, portën e madhe të Tiranës do ta zgjerojmë me terminalin e ri e pistën e zgjeruar për të mundësuar fluturimet transoqeanike, për të mundësuar fluturimet direkte me Amerikën”, tha Rama.

Sipas kryeministrit po ashtu do të hapet edhe një Aeroport në Vlorë dhe një tjetër në Sarandë.

“8 porta që do të shumëfishojnë njerëzit e të ardhurat që do të krijohen nga turizmi”,  u shpreh Rama.

Rama theksoi se kur ai fliste për porte e aeroporte cinikët e të paditurit thërrisnin ‘Rama ik’.

“Aty ku ka një popull që mblidhet për të parë të ardhmen, ka edhe një zë: Rama ik. “Vazhdon koncerti 1936. Është i njëjti koncert që vazhdon. Ai ditziu i vitit 1936 vazhdon të jetojë si shpirt brenda atyre të cilët nuk e durojnë dot simfoninë e punës sonë në të gjitha drejtimet, që po vazhdojmë ta shkruajmë e që do të mbetet në historinë e këtij vendi si muzika e punës”, deklaroi Rama.

Ne, tha ai, nuk jemi këtu për tu ndarë. “Ne nuk duam të vazhdojmë rrugën vetëm duam që të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e fuqisë së madhe për tu ngjitur në majë”, deklaroi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.