2020-2030 dekada e kthesës për Shqipërinë/ Ja pse shqiptarët duhet të votojnë PS-në

TIRANË, 17 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, renditi disa nga arsyet se pse shqiptarët duhet të votojnë Partinë Socialiste në 25 prill.

Kryeministri Rama tha se duhet të shikojnë së pari gjyshërit dhe prindërit e tyre që buzëqeshin prapë nga vaksinimi.

“Qoftë edhe kjo mjafton për të thënë se nuk janë të gjithë njësoj, se po të ishin ashtu do ishim edhe ne si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Po ashtu, sot në Shqipëri po ndodh një proces rindërtimi me ritme më të suksesshme se vendet ku ka rënë tërmet. Këtu shtëpitë do merren falas”, tha Rama.

Shqipëria, tha ai, është në udhëkryq përsëri. “Ne jemi ngjitur në gjithë sektorët. Ky është moment kyç por ngjitja nuk është ende në majën ku duhet të arrijmë. Kjo dekadë 2020-2030 është dekada e kthesës për Shqipërinë me këto investime dhe me këtë rritje ekonomike që do sjellin këto investime”, tha Rama.

I pyetur se kush voton kundër PS-së, Rama tha se “votojnë ata si demokratët e Shkodrës, tipikët e tifozëve fanatikë mbas fanellës, mbas flamurit të partisë, të futur në një qerthull prej 30 vitesh që vazhdojnë luftojnë komunizimin”.

“Është mallkimi i Enver Hoxhës për Shkodrën që nuk e deshi kurrë. Nëse do t’i kishin thënë çfarë do ti bësh Shkodrës, do provonte PD-në e Shkodrës për ta lënë Shkodrën të fundit.
PD e Shkodrës është mallkim i Enver Hoxhës. Ka dhe një pjesë tjetër që kanë 1 mijë e një arsye.”, tha Rama.

Por sipas tij, “një njeri duhet të votojë dhe gabimi më i madh që bën zgjedhësi që nuk voton është që thotë janë të gjithë njësoj, asgjë nuk ndryshon”.

“Politika merret me të gjithë njësoj, si me ata që votojnë dhe me ata që nuk votojnë dhe ata që s’votojnë fatin e tyre ja delegojnë pjesës që mund të bëhet gjithmonë e më e vogël. Sa më e vogël të jetë pjesa që voton aq më shumë mund të gabojë. Voton apo jo ti, politika merret me ty. Ndaj sa më shumë të votojnë aq më shumë politika mbart peshën e prëgjegjësisë prë njerëzit që votojnë dhe aq më shumë politika mund të jetë në duar të mira”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.