Zgjedhjet/ Prokuroria përfundon verifikimin për 2 kandidatë për deputet

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Prokuroria e Përgjithshme përfundoi verifikimin për 2 subjekte vetëdeklarues, kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe ia përcolli organit kompetent, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit.

Prokuroria e Përgjithshme në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm nr. 41, datë 11.02.2020 përfundoi verifikimin për 2 subjekte vetëdeklarues, kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe ia përcolli organit kompetent, në këtë rast Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit, për të shqyrtuar nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve dhe në vijim dhe të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar.

“Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces dhe po trajton të gjitha kërkesat e përcjella, për verifikim të thelluar e të plotë të të dhënave të pasqyruara në Formularët e Vetëdeklarimit nga personat, subjekte të këtij ligji që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe lidhur me kandidimin e tyre ose jo, vendos KQZ”, njofton Prokuroria.

KQZ njofton se ka mbërritur vetëm një prej verifikimeve, ai i Napolon Laskës, të Partisë Nisma Thurje.

“Nga verifikimi i thelluar i Organit të Akuzës për kandidatin Laska, ka rezultuar se ai nuk preket nga ligji i Dekriminalizimit. Në këtë mënyrë, Laska është i pastër dhe mund të vijojë garën politike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kandidati i dytë i verifikuar nga prokuroria është Artur Baku, kandidat i Partisë Socialdemokrate. Ky kandidat rezulton i dënuar për shpërdorim detyre në vitin 2015”, bën të ditur KQZ. /r.e/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.