Vota e 25 prillit në Skrapar, referendum për t’i thënë Ilirit: Mjaft se na turpërove

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “unë dua që pas 25 prillit të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve”.

Duke folur në një takim me qytetarët në Çorovodë, Rama tha se, “po të kisha një gotë rakie këtu do ta ngrija me shumë sinqeritet për shëndetin e Ilir Metës”.

“Shëndetin dhe të familjes së tij, patjetër. Kam ngrënë bukë me ta, nuk dua t’i shoh keq. Dhe pastaj dollinë e dytë do ta ngrija për referendumin e Vlorës dhe për votën në 25 prill të Skraparit, që të jenë një referendum dhe një votë që t’i thonë Ilirit, boll tani, zbrit nga maja, se na turpërove, mjaft tani”, u shpreh Rama.

“Dhe ndërkohë e keni dëgjuar, se ju këtu merreni me politikë, jeni një nga komunitetet më politikanë të Shqipërisë, e njihni mirë politikën, prandaj çmendët dynjanë me Ilir Metën e mbajtët të gjithë politikën në vorbull atje në Tiranë. Atje në Tiranë kujtojnë se i kanë ata në dorë. Jo mo këtu, këtu. Jepja Ilir Metës, çoje Ilir Metën atje dhe të bëhet çorba 20 vjet. Po s’ka rëndësi. Si popull politikan që jeni, me siguri e keni diskutuar këtë të fundit që unë jam gati të bashkëpunoj ngushtësisht me Lulzim Bashën dhe PD-në me kusht që të ndahen nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, patjetër. Ky është kusht”, tha Rama.

Natyrisht, shtoi Kryeministri, “që Lulzim Basha nuk ndahet dot nga ata, por ajo që unë dua t’ju them këtu dhe dua ta dëgjojnë të gjithë, është që unë dua pas 25 prillit të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve. Jo thjesht tek puna, se tek puna, i të gjithë shqiptarëve kam qenë, se qeveria për të gjithë shqiptarët punon. Por të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve edhe tek goja”, tha Rama.

“Do më duhet punë me veten, por është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë çmos që politika të mos i shqetësojë kaq shumë, sa i shqetëson deri më sot nënat e këtij vendi, gjyshet e këtij vendi. Se ato janë të parat që e ndjejnë shqetësimin kur iu futet nga televizori gjithë ajo dyndje burrash që kacafyten me njëri-tjetrin dhe që politika të fokusohet tek maja ku duhet të ngjitemi bashkë dhe ku duhet ta çojmë Shqipërinë, për ta bërë kampione të Ballkanit në turizëm, kampione të Ballkanit në agroturizëm, kampione të Ballkanit në energji, në bujqësi. Është plotësisht e mundur. Nuk është një ëndërr që unë e kam parë në gjumë, se ëndrrat në gjumë nuk i besoj unë. Unë besoj ëndrrat që shoh me sy hapur”, u shpreh Rama.

“Do kthehem shumë shpejt këtu përsëri bashkë me Nasipin, bashkë me Baba Takun natyrisht, s’kemi ku shkojmë pa Baba Takun, është hajmalia jonë. Edhe me Blendin, patjetër. Por, amanet, shokun tim dhe djalin dhe vëllain tuaj Ilir Metën. Është rasti i fundit për ta shpëtuar dhe për ta kthyer nga Vlora në Tiranë dhe për mos ta lënë që të përfundojë tek çmendina e Vlorës”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.