Vaksinimi masiv antikovid/ Nelaj: Kemi sasi të vaksinës së Sinovac, presim doza të AstraZeneca-s

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Drejtoresha e programit të vaksinimit, Erida Nelaj u shpreh në një intervistë televizive se nesër pritet që të vijnë në Shqipëri një tjetër sasi vaksinash “AstraZeneca”.

“Aktualisht mendoj që nuk ka më sasi ‘AstraZeneca’, mund të ketë diku në Elbasan, Tirana ka përfunduar sasinë e saj. Nesër presim sasi të tjera ‘AstraZeneca’ që të vijnë. Është e njëjta vaksinë si herën e parë, pjesë e COVAX-it”, tha ajo.

“Mungesë të vaksinave nuk ka pasur. Më shumë dyndje ka në mëngjes dhe fluksi bie në drekë. Ne kemi ende sasi të ‘Coronavac’, kemi 50 mijë të paprekura, por duhet të kemi kujdes për të ruajtur dozat e dyta”, u shpreh Nelaj.

Aktualisht theksoi Nelaj po vaksinohet me “Coronavac”, “Sputnik” dhe “Pfizer”.

“Me ‘Pfizer’ po vaksinohen personat që kryejnë dializë, pasi studimet kanë treguar se këta lloj personash kanë nevojë për një vaksinë të tillë, po ashtu ata që kanë kryer transplante të organeve, pastaj të personave të tjerë me specifika, kryesisht të lidhura me imunitetin”, theksoi ajo.

“Ne jemi mësuar të shikojmë në flakon datën e skadencës dhe kjo krijoi një problem në momentin e parë, pasi në vaksinën ‘Coronavac’, nga ‘Sinovac’ e paketuar në Turqi, ata me ligjin e tyre nuk vendosin datën e skadencës, por datën finale të prodhimit, ajo është data finale kur është paketuar në flakon, por ne kemi të gjitha certifikatat e analizave, të gjithë informacionin, se është data e prodhimit. Data e skadencës në dosjen që ne kemi nga vetë ‘Sinovac’ është 19 shkurt 2022, për 100 mijë dozat” tha ajo.

Sipas saj, vaksinimi i stafit të hoteleri-turizmit pritet që të nisë me dozat ‘AstraZeneca’. “Besoj që shumica do të jenë nga sasia që vjen nesër dhe në vijim. Ndoshta do të jetë vaksina ‘AstraZeneca’”, përfundoi ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.