Spitalla, model i zhvillimit urban/ Spahiu: Votoni PS për vijimin e projekteve të nisura

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Zona e Spitallës do të shndërrohet falë ndërhyrjes së qeverisë së kryeministrit Edi Rama, në kuadër të programit të rindërtimit, në një nga zonat më të bukura të Durrësit.

Kandidatja për deputete e PS, Klodiana Spahiu, e shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako kanë zhvilluar një takim me banorët e lagjes 15 të zonës së Spitallës.

Sipas Spahiut, në sajë të projekteve të nisura me mbështetjen e fuqishme të qeverisë dhe kryeministrit Rama, kjo zonë do të shndërrohet në një nga më të bukurat e Durrësit. Mandej, Spahiu kërkoi mbështetjen me votë të qytetarëve të Durrësit për mandatin e tretë të PS, për vijimin e punëve të nisura.

“Ne do të shndërrojmë këtë zonë në një nga më të bukurat e Durrësit. Nuk do të jetë vetëm një zonë apartamentesh, por do të jetë një zonë e integruar me të gjitha shërbimet që kanë nevojë qytetarët, këto do të jenë për ju. Prandaj duhet me votë ti them po mandatit të tretë dhe vijimit të projekteve të nisura dhe nisjen e projekteve të reja madhore”, – tha Spahiu.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako deklaroi se zona e zhvillimit në Spitallë do të jetë një lagje model urbane që do të ketë banesa për 1000 familje. Ajo tha se zona do të ketë të gjithë infrastrukturën e shërbimit ndërkohë që Eco Parku, i cili është duke u ndërtuar e do të jetë një zonë atraktive jo vetëm për këtë zonë por për të gjithë Durrësin dhe më gjerë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.