Sistemi i Drejtësisë po reformohet në vazhdimësi, komplet jashtë kontrollit të qeverisë

TIRANË, 16 prill/ATSH/ “Nuk është betejë e imja kundër Ilir Metës por e Ilir Metës kundër meje dhe Partisë Socialiste, sepse rolet janë të ndara. Lulzim Basha është futur për të bërë dhëndrin, ndërsa dy mblesët janë në llogore, njëri me mitralozin dixhital, tjetri për të bërë këtë betejë”, tha Kryeministri Rama gjatë një interviste në media.

Sipas tij, Presidenti i Republikës duhej të rrinte në zyrë e të mos fliste fare siç nuk flet në asnjë republikë parlamentare kur ka zgjedhje.

Kryeministri tha se Presidenti nuk mbron asgjë, por ai duhet të rrijë në zyrë e të lërë forcat politike të bëjnë punën e tyre.

“Nuk e ka caktuar njeri presidentin të mbrojë Shqipërinë nga forcat politike. Këtu jemi në një nivel të komunikimit që kërkon psikiatër, nuk mund të trajtohet me instrumentet që ne kemi”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se është kundër mendësisë se kontrollon të gjitha pushtetet.

“Jam absolutisht kundër këtij opinioni, sepse ky opinion do të mund të kishte legjitimitet nëse ky kontroll do të ishte rezultat i ushtrimit të presionit dhe pushtetit jashtë normave dhe standardeve të Kushtetutës. E kundërta është e vërtetë. Parlamentin e ka braktisur Presidenti, partia e tij dhe partia e Saliut. Nuk i kam nxjerrë unë ata. Kanë ikur vetë. Zgjedhjet vendore i braktisën vetë”, tha Rama.

Nuk vendosëm ne, vijoi ai, ndonjë pengesë që të mos lejonim ata të merrnin pjesë që të merrnim ne kontrollin.

“Qoftë në Parlament, ku ata u zëvendësuan me njerëz të cilët nuk i vura unë, por nga listat që i kanë bërë ata, qoftë në qeverisjen vendore. Ne kemi një situatë anormale, sepse anormaliteti u prodhua në bazë të një skenari destabilizimi e shkatërrimi. Të ikim nga Parlamenti nga zgjedhjet, të dalim në rrugë, të sulmojmë institucionet, të detyrojmë Edi Ramën të dorëzohet pa zgjedhje, sepse në zgjedhje nuk e mundim dot”, u shpreh ai.

Për Kryeministrin, ky ishte skenari.

“Jo vetëm që unë nuk kontrolloj asgjë jashtë atyre që kam detyrë në kuptimin e kontrollit ligjor, por në Shqipëri ka sot një sistem drejtësie që po reformohet në vazhdimësi që është komplet jashtë kontrollit të qeverisë, si SPAK që po merr çdo ditë formë e fuqi, Byroja Kombëtare e Hetimit që po krijohet, ka gjykatës dhe prokurorë që po kalojnë Vetingun e po hyjnë në rrugën e tyre, ka dy institucione si KLGJ e KLP që janë komplet jashtë kontrollit”, deklaroi Kryeministri.

Ku është parë, vijoi Rama, që një opozitë të hyjë në rrugën qorre të një skenari destabilizimi për të rrëzuar qeverinë pa zgjedhje dhe të akuzohet qeveria e kryeministri pse nuk tërhiqet?!

Sipas Ramës, detyra nuk lihet se do Sali Berisha dhe Ilir Meta. “Detyra është detyrë”, deklaroi Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.