Shqipëria në krye të tabelës së klasifikimit për ritmin e vaksinimit kundër COVID, falë lidershipit të një gruaje

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rrugëtimin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa theksoi se “nëse shëndetësia jonë është totalisht ndryshe nga ç’ishte 6-7 vjet më parë, ka një arsye: është padiskutim lidershipi i një gruajeje, i një nëne, i një vullnetareje pasionante që politikën e jeton si mision”.

Në fjalën e tij gjatë takimit me vajza e gra të kryeqytetit, Kryeministri Rama tha se “më në fund e shikoj njësoj si qiellin sot dritën përtej tunelit të pandemisë. Dhe e shikoj njësoj si ju shikoj të gjithave ju, Shqipërinë përtej pandemisë. Shqipërinë që ne duhet dhe do ta bëjmë të ardhmen tonë se ky është misioni ynë ka një arsye pse kemi arritur deri këtu, pse sot në këtë shesh të gjitha ju që jeni pikat kyçe të rrjetit të grave të Tiranës për 25 prillin jeni këtu. Ka një arsye pse sot në skuadrën tonë janë gratë dhe vajzat që janë këtu”.

“Të gjitha historitë e tyre janë të ndryshme, Ogerta ka qenë gjimnaziste kur me një grup të vogël vajzash e djemsh u bashkuan me mua në fushatën për Tiranën, në të parën fushatë në historinë e zgjedhjeve tona ku kandidati doli nga sallat dhe ku filloi komunikimi me njerëzit nëpër rrugë. Ogerta vazhdoi rrugën e saj për të ardhur sot deri këtu si Ministre e Shëndetësisë, një rrugë e kërkesës ndaj vetes dhe e rritjes profesionale”, – nënvizoi Rama.

Një rrugë e rritjes, vijoi Rama, dhe e angazhimit shoqëror, një rrugë e meritës dhe një rrugë që sot e çoi aty ku papritur u gjend me barrën më të jashtëzakonshme të përgjegjësisë, përballimin e një pandemie që vjen 1 herë në 100 vjet.

“Nëse ne e përballuam pandeminë dhe sot jemi një nga pak vendet në krye të tabelës së vaksinim për ritmin e vaksinimit, dhe nëse sot shëndetësia jonë është totalisht ndryshe nga ç’ishte 6-7 vjet më parë, ka një arsye: është padiskutim lidershipi i një gruajeje, i një nëne, i një vullnetareje pasionante që politikën e jeton si mision”, – tha Rama./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.