“Shitblerja e votës është arti i LSI-së”/ Rama: Dakord 100 % me deklaratat e ambasadores amerikane

TIRANË, 16 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deklaratat e Ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u keqpërdorën nga opozita.

I ftuar në një emision televiziv, Kryeministri Edi Rama u shpreh 100 % dakord me Ambasadoren amerikane në lidhje me shqetësimin për shitblerje vote.

“Deklaratat e ambasadores amerikane janë keqpërdorur në mënyrën më brutale duke e kthyer atë krejt jashtë kontekstit, në një ikonë propagande të atyre që duan të kthehen në qeveri, qoftë me mediet e tyre, qoftë ato vetë me sistemin e tyre të komunikimit me fotografinë e ambasadores dhe me parullën për ndryshim”, u shpreh Rama.

“Ambasadorja e SHBA-së ka thënë një gjë që e dinë të gjithë. Ka thënë një gjë që unë jam 100 % dakord, ka thënë një gjë që ka bazë dhe ka thënë një gjë që është mbështetur edhe nga kleri katolik, është mbështetur edhe nga kleri mysliman lidhur me blerjen e votës dhe lidhur me shitjen e votës dhe këtu s’ka fare diskutim”, tha Rama.

“Nuk duhet të kesh të dhëna për të shprehur këtë shqetësim, sepse e shkuara na ka treguar se ka njerëz që tentojnë të blejnë votën dhe përpara pak ditësh patëm një fakt, dhe nuk më rezulton se ai që u arrestua nga policia me lekë dhe fletë votimi të ishte i partisë sonë. Ai është i partisë së Ilir Metës dhe nuk pashë Ilir Metën të marrë shpatën që ka në Presidencë. Nuk e pashë Ilir Metën ta merrte shpatën e të nisej për Pukë”, vijoi Rama.

Kryeministri Rama foli edhe për rastet e shitblerjes së votës.

“Në Dibër janë arrestuar dhe dënuar 20 persona. Janë 20 persona, komisionerë të dënuar, dhe çuditërisht ata ishin të të gjitha forcave politike dhe shumica ishin pikërisht të këtyre forcave që bërtasin dhe ulërasin dhe bëjnë rolin e virgjëreshave që po mbrojnë shqiptarët nga prostitucioni elektoral. Prostitucioni elektoral me shitje dhe me blerje votash është arti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, këtë s’ka shqiptar që nuk e di. Dhe shprehja popullore ‘bërtet hajduti, kapni hajdutin’ i shkon perfekt të gjitha sinkroneve të Ilirit dhe Monikës kur dalin e vënë kujën të mbrojnë shqiptarët nga blerësit e votave”, tha Rama.

Praninë e vazhdueshme të Metës në Vlorë, Rama e komentoi duke theksuar se, “Ilir Meta nuk është President i Republikës është thjesht formalisht”.

“Ilir Meta bashkë me Saliun është mblesi i një krushqie për të marrë Shqipërinë peng dhe për të rimarrë kontrollin mbi procesin e Reformës në Drejtësi, është shumë e thjeshtë”, theksoi Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.