“Rritja e të ardhurave në 1.1 miliard lekë”/ Vjero: Sinjal pozitiv për rimëkëmbjen ekonomike

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero u shpreh se, “rritja e të ardhurave në tre muajt e parë të vitit, është një sinjal pozitiv për rimëkëmbjen ekonomike”.

Në një intervistë televizive Vjero theksoi se “kemi në këtë 3-mujor një rritje të të ardhurave nga kontributet në masën 1.1 miliardë lekë më shumë se 3-mujori i vitit të kaluar, dhe ndërkohë plani i vitit 2021 është realizuar në masën 107 %, çka tregon që edhe kontributet kanë pësuar një trend pozitiv brenda pritshmërive edhe nga situata e numrit të të punësuarve”,

Ajo tha se “për një periudhë 5-vjeçare, ne presim një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga procesi i fiskalizimit, që në parashikimet tona është një rritje me 10 %”.

“Anulimi i një projekti kaq madhor që ka vite për të cilin është investuar, padyshim që do të ndikojë në rritjen e informalitetit dhe uljen e të ardhurave”, – deklaroi Vjero.

Sipas saj, pavarësisht situatës së pandemisë institucionet kanë kryer investimet e parashikuara, ku në këto 3 muaj shpenzimet arritën në vlerën 942 milionë euro. Ndërsa procesi i rindërtimi po ecën me ritme pozitive.

Lidhur me vijueshmërinë e trendit të ekonomisë, ajo tha se “ne jemi duke pritur dhe shifrat e 3-mujorit të dytë të vitit, që është edhe ai një tremujor tejet vendimtar, për të parë më tej trendin në rritje të ekonomisë“.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.