Rritëm me 50% taksën për biznesin e madh/ Aksesi i kompanive në tenderat publikë është zgjeruar masivisht

TIRANË, 16 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në qeverisjen e tij aksesi i kompanive në garat publike është zgjeruar masivisht dhe tani ka shumë më tepër aktorë në treg se sa në qeverisjen e djathtë”.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “në Shqipëri nuk ka oligarkë, nuk ka asnjë, zero”.
“Në Shqipëri ka njerëz të pasur por ata nuk janë oligarkë. Ata e kanë kapacitetin imponues ndaj meje dhe qeverisë time 0. Të gjithë ata njerëz janë njerëz që e kanë nisur nga hiçi dhe janë rritur dhe çë një moment të caktuar rritja e tyre është identifikuar me një pushtet të caktuar. Janë punëdhënësit më të mëdhenj të Shqipërisë. Motorët më të fuqishëm të punësimit. Janë vertebra të shtyllës kurrizore të ekonomisë shqiptare. Mbas atyre njerëzve janë dhjetëra-mijëra familje”, tha Rama.
Rama tha se koha kur tenderat kanalizohen në disa duar ka vdekur bashkë me qeverinë e Saliut.
Sipas tij, “vetëm në procesin e rindërtimit janë angazhuar 400 kompani”.
Ndërkohë, Rama tha se “po të marrësh sasinë e tenderave që janë bërë gjatë qeverisë sime dhe aktorët me akses në fondet e buxhetit të shtetit është një numër ku e ku më i madh se sa numri i aktorëve që përfshiheshin më parë. Tani ka shumë aktorë në treg”.
Po ashtu Rama tha se “aksesi në garat publike është zgjeruar masivisht. “Po të shikosh kontributet e tyre në arkën e shtetit janë ku e ku me ato që ishin, sepse të gjithë për punë publike e private e kanë taksën sot 50 % më tepër se sa e kishin në kohën e Saliut. Pra, unë që jam i tyri, jua kam rritur taksën 50 %, këta që i luftojnë propozojnë taskë 9 %?! Ata duan që 500 milionë t’jua japin direkt në xhep dhuratë atyre”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.