“Rrapushi sot ka trajtën e Bashës”/ Blerje e madhe votash me bixhozin elektoral të PD

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka një blerje shumë më të madhe votash me bixhozin elektoral të PD.

Gjatë fjalës së tij në takimin me gra dhe vajza të kryeqytetit, Rama u shpreh se, “ka blerje votash me lekë, por ka një blerje shumë më të madhe votash me bixhozin elektoral të PD. Një blerje që është simetrike me blerjen, që njësoj si në bixhoz, u bëri Rrapush Xhaferri mendjeve të shqiptarëve, duke i çoroditur komplet. Ti më jep 1 unë të jap 2 dhe ti s’ke nevojë fare të mendosh si do fitosh për muajin tjetër. Brenda 2 javësh unë t’i dyfishoj, brenda një muaji unë t’i katërfishoj dhe kështu me radhë dhe shqiptarët hynë në qerthullin e një marrëzie duke arritur deri të shesin shtëpi e bagëti e duke shkuar tek Rrapushi e Rrapushi u shkonte po njësoj me makina, me bori. Madje Rrapushit i shtronin rrugën me sheqer, se po vinte ëmbëlsira. Edhe Lulit ia kishin shtruar rrugën me sheqer në Lezhë”.

“Dhe Rrapushi thoshte më jep 1 të të jap 2. Dhe në fund shqiptarëve, ato dy të Rrapushit iu bënë dy gishta që iu futën në sy i qërruan komplet dhe shqiptarët e qërrur, u ndjenë të rrethuar nga flakët që i ndezën vetë. I ndezën vetë nën yshtjen e udhëheqësit, nën yshtjen e asaj force politike”, tha Rama.

“Tani shumë njerëz thonë lërë Rrapushin, Rrapushi ka ikur. Jo, Rrapushi është prapë mes nesh, në një formë tjetër. Rrapushi sot ka trajtën e Lulzim Bashës. Është natyrisht më i ri se Rrapushi. Është natyrisht më i qeshur se Rrapushi. Është natyrisht më i vështirë për t’u marrë vesh se kush është në fakt sesa Rrapushi, por është Rrapushi i rikthyer në një formë tjetër, për t’i bërë kësaj shoqërie të njëjtin test. Testin e atij mallkimi që shqiptarët, i ka ndjekur dhe për fat të keq i ka kapur në disa momente të historisë së tyre kur të lodhur, të stresuar, të pakënaqur të zhgënjyer kanë vajtur pas berihait. Siç vajtën pas haxhi Qamilit, mblidhuni çuna se dum Babën dhe çdo gjë do të zgjidhet. E siç vajtën disa herë deri kur erdhi Rrapushi përsëri”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.