Rama me vajza e gra të kryeqytetit: Jam më i qeshur jo nga botoksi, por nga dielli që ka filluar të shkëlqejë përsëri mbi Shqipërinë

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “ka një arsye në fakt pse jam pak më i qeshur seç isha, pse nuk jam aq i ngrysur sa isha, pse lodhja dhe stresi shihen më pak në fytyrë time. Kjo arsye nuk është botoksi, është dielli që ka filluar të shkëlqejë përsëri mbi Shqipërinë”.

Gjatë fjalës së tij në takimin me gra dhe vajza të kryeqytetit, Kryeministri Rama reagoi në lidhje me disa lajme të publikuara nga medie një ditë më parë se kryeministri ka bërë botoks.

Kryeministri Rama tha se “lajmi i fundit është që unë kam bërë botoks, është lajm në mediet që i bëjnë gjithë kohës botoks sondazheve të Lulit, fushatës së Lulit, partisë së Lulit dhe nuk lënë laps pa përdorur për t’i shtuar çdo ditë rrudha imazhit të Shqipërisë për t’ia zhgarravitur çdo ditë fytyrën, faqen këtij vendi dhe për t’ua ekspozuar karikaturën e shpirtit të tyre njerëzve të këtij vendi”, – theksoi Rama.

“Unë botox, e pse kam bërë botoks, sepse u jam dukur papritur i qeshur dhe lëkura ime pa pritur është dukur si lëkura e Fevziut me shkëlqim. Si nuk e bëka efektin shumë më të mirë, se botoks e gjithë kjo e bën, sepse unë nuk jam në këtë detyrë për të bërë sikur për të dalë në televizor dhe për të qenë ai që s’jam, nuk jam në këtë detyrë për të menduar si u dukem të tjerëve kur ngrysem, kur nxehem apo kur qesh. Jam në këtë detyrë për të qenë deri në fund me mish e me shpirt për të gjithë ata që më kanë dhënë këtë detyrë”.

“Nëse të gjithë ata janë në stres, janë në ankth, janë mbyllur në shtëpi duke u lutur që të mos humbin njerëzit e tyre e të dashur, si nuk u reflektoka kjo në fytyrën time?! Fytyra është pasqyra e shpirtit. Ka mjeshtra që dinë ta bëjnë fytyrën pasqyrë të boshllëkut të tyre apo që e kanë pasqyrë të boshllëkut të tyre. Kush e ka shpirtin gjallë të angazhuar, derë të hapur për të lënë të hyjnë të gjitha ankthet, pasiguritë e hallet e njerëzve që kanë rreth e rrotull e kush lëre më pastaj kush është në këtë detyrë dhe e ka shpirtin të gatshëm për ti thithur të gjitha këto, sigurisht që fytyrën e tij e ka pasqyrë të atij stresi, të atij sforcimi, të asaj lodhjeje. Si mund të jetë ndryshe?” – nënvizoi Rama.

Më tej Rama tregoi se, “dikur një president i SHBA-së i tha shefit të tij të kabinetit: ‘më duhet dikush për këtë detyrë, po kushti kryesor është që duhet të jetë njeri i mirë’. Vjen kandidati i zgjedhur nga shefi i tij i kabinetit e takon presidentin dhe pasi presidenti e përcjell i thotë shefit: ‘të thashë më duhet një njeri i mirë’. Ai i tha z. president, nga të gjitha ato që morëm ne informacion nuk rezulton njeri i keq. Presidenti i thotë ia pe fytyrën? Si fytyrën? Çfarë faji ka ai për fytyrën? Dëgjo, i tha Presidenti, pas të 40-ave çdo burrë mban përgjegjësi për fytyrën që ka”.

“Unë mbaj përgjegjësi sot për fytyrën time dhe ndihem jashtëzakonisht mirë sot që atyre të cilëve merren me botoks u jam dukur me botoks, sepse në fakt me sa duket fytyra ime ka filluar të reflektojë atë çlirim që sot po shtrihet me një shpejtësi në qindra-mijëra e zemra shqiptare që kemi kaluar përtej 300 mijë të vaksinuarve. Janë mbi 300 zemra të lehtësuara, mbi 330 mijë mendje që kanë filluar të mendojnë ndryshe. S’ka sesi të jetë ndryshe, kur unë më në fund e shikoj njësoj si qiellin, dritën përtej tunelit të pandemisë”, – tha Rama.

“Kjo arsye është dielli që shkëlqen në sytë e qindra e mijëra gjyshërve që marrin vaksinën dhe marrin frymë thellë dhe vrapojnë të takojnë nipat e mbesat, që marrin vaksinën dhe hapin derën për fëmijët e tyre, që marrin vaksinën dhe kanë rifilluar të gatuajnë për djemtë e nuset e tyre pa pasur frikë t’u hapin derën”, – tha Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.