“PS do fitojë”/ Rama telefonon Nikollën: Ftesa për Bashën trembi Metën, ka hall mos po i shpëton nga zinxhirët se e ka lidh së bashku me Saliun

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Rrugës duke u kthyer nga takimi elektoral në Skrapar për të vijuar në Berat, Kryeministri Edi Rama ka telefonuar kandidaten për deputete të PS-së në qarkun Lezhë, Lindita Nikolla e cila po zhvillonte një takim me banorë në Mirditë.

Ftesa e Kryeministrit drejtuar kreut të PD-së Basha për të bashkëpunuar pas zgjedhjeve për të mirën e Shqipërisë ishte temë e bisedës telefonike.

Nikolla theksoi se gjatë takimeve që ka zhvilluar ftesa është vlerësuar nga gratë të cilat kërkojnë një bashkëpunim paqësor dhe larg konflikteve.

“Njerëzit janë të aftë të dallojnë Edi Ramën, njeriun e punës dhe aty ku ka punë ka dhe rezultate dhe Lulzim Bashës që shet ‘qiqra në hell’ çdo ditë e më shumë. Kam parë që gratë janë shumë të motivuara dhe mbështetesh dhe kanë mirëkuptuar thirrjen janë të fundit ndaj Lulzim Bashës. Burrat e kujtojnë një lojë të Edi Ramës për të bërë lojën e radhës”, tha Nikolla.

Rama u shpreh se “burrave iu shkon mendja direkt te pazari dhe ndarja e karrigeve, por gratë janë ato që fakt vuajnë më shumë sherrin dhe konfliktin se e kanë në shtëpi, në televizor, me kalamajtë. Shiko çfarë ndodh me kalamajtë nga 7 dhe 8 vjeç dhe bëjnë sikur janë edhe ata janë të ndarë”.

Nikolla shtoi se “kjo ndasi është e turpshme, lavdi Zotit, gratë janë në lartësinë e duhur për t’i kuptuar gjërat, sepse janë dhe pesha më e rëndësishme e familjes”.

Ndërsa sa i përket lajmeve që Kryeministri ka bërë botoks, Rama tha se “më është kthyer buzëqeshja edhe mua dhe më shkëlqen fytyra dhe më thonë ke bërë botoks. Këto të botoxit i bëjnë botox sondazheve të Lulit dhe partisë së tij dhe merren me historira, jo diversion, jo provokim, nga ana tjetër çmendet Ilir Meta”.

Rama tha se “ai ka tjetër hall se mos po i shpëton Luli nga zinxhirët se e ka lidh së bashku me Saliun janë në hall tjetër”.

“Nëse bëhet ky debat, duhet me e shpjeguar se kjo është për të shkuar përtej sherrit dhe s’ka lidhje me karrige dhe nevoja. PS do fitojë dhe nuk do jetë nevojtare për askënd në sensin e votave, por kjo është ambicia ime dhe ambicia që duhet të kemi të gjithë bashkë ne që ta çojmë Shqipërinë përtej sherrit dhe realisht edhe unë dhe ne të jemi një kryeministër dhe qeveri për të gjithë”, theksoi Rama.

“Qeveri dhe kryeministër për të gjithë kemi qenë për punët, por duhet të ndryshojmë edhe ne atë qasjen dhe retorikën, sepse kemi rënë shpesh edhe ne pre e kurtheve dhe baltës së tyre e ndasisë së tyre, tmerr i madh, dhe nuk kanë faj njerëzit”, shtoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.