“Porti turistik i Durrësit, vlerë e shtuar për të gjithë qytetarët”/ Alabbar: Rrallë gjej si ju, ku në qendër të gjithçkaje janë njerëzit

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kreu i kompanisë “Emaar”, Mohamed Alabbar, kompani e cila do të ndërtojë portin turistik të Durrësit deklaroi sot se ky ishte një moment historik në jetën e tij, ndërsa premtoi se investimi, i cili do të ketë përfunduar në 4 vite e gjysmë, do të sjellë një vlerë të shtuar për të gjithë qytetarët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

“Më kujtohet kur jam takuar për herë të parë“, iu drejtua ai Kryeministrit Rama, “më thatë Mohamed, dua që të ngre njerëzit e mi”.

“Unë jam biznesmen, por jam biznesen me emocione dhe natyrisht më preku. Sepse unë bëj biznes në shumë vende, por rrallë gjej si ju, ku në qendër të gjithçkaje janë njerëzit. Nëse nuk ngremë lart jetën njerëzore, shpirtin e tyre, atëherë nuk e kemi bërë punën tonë, nuk kemi sukses”, u shpreh Alabbar.

Alabbar vuri theksin tek rëndësia që do të ketë zbatimi i këtij projekti në jetën e të rinjve, sa i takon përvojës që do të fitojnë.

“Nëse nuk trajnojmë mijëra të rinj e të reja në teknikat më të përparuara, për mënyrën sesi do të bëhen këto projekte masive, atëherë kemi dështuar”, tha ai.

Por, vijoi më tej Alabbar, lajmi i mirë është se unë këtë gjë e kam bërë për 25 vjet.

“Kam bërë gabime në jetën time, por tashmë mendoj se jam më i fortë se kurrë. Kështu që dua të dini se kjo do të bëhet me shumë dashuri, me shumë kujdes. Por në të njëjtën kohë, kur shoh Shqipërinë, përpjekjet që vëllai im i dashur dhe të gjithë njerëzit e tij bëjnë, duke vendosur shpirtin aty, se sa shumë punojnë, më bën edhe më shumë entuziast për të marrë pjesë në këtë proces, sepse duhet të kesh partnerë për të ecur përpara”, tha Alabbar.

Duke i parë ata të ecin përpara e të rrisin aftësitë e tyre, vuri në dukje Alabbar, është diçka që unë e kam shumë për zemër.

Unë, theksoi Alabbar, e kam vizituar Durrësin disa herë dhe një ditë u mërzita shumë, për shkak të ndotjes që gjenerohet nga porti.

“Duhet të respektojmë njerëzit tanë, mjedisin, sepse fëmijët tanë duhet të shohin diçka më të mirë. Me këto dua të them se të gjithë këta njerëz, këto hotele që kanë luftuar gjatë këtyre viteve, janë heronj të mirëfilltë dhe ju premtoj që ata do të festojnë me ne dhe se vlera do të jetë vetëm pozitive. E kam bërë shumë, shumë herë”, vuri në dukje ai.

Lidhur me këtë, Alabbar solli shembullin e përfitimit nga investimi i kryer në një nga vendet e rajonit, Serbi.

“Isha në Beograd duke vizituar objektin dhe papritur më tha dikush: ky është stacioni më i çuditshëm që kemi konvertuar dhe punon tashmë. Dhe më tha: e dini cila është vlera e këtyre ndërtesave këtu? Jo, nuk e di, i thashë, por shpresoj që të gjithë të fitojnë, sepse është 30 % më e lartë. Kjo është çështja, si t’i ngresh të gjithë në një zinxhir vleror”, shtoi Alabbar.

“Ky është një moment historik në jetën time dhe besoj edhe në jetën e Shqipërisë dhe ju siguroj se do të punojmë fort dhe do të bëjmë gjërat e duhura në të gjithë kohën për të arritur këtë”, deklaroi Alabbar.

Ai po ashtu theksoi se u detyrohej qytetarëve të Durrësit dhe të Shqipërisë një projekt dinjitoz edhe për shkak të besimit që i kanë dhënë.

“Do të doja të përfitoja nga kjo mundësi për t’u thënë se shpresoj se në vetëm 4-5 vitet që vijnë ju të shikoni vlerën e shtuar”, deklaroi ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.