Porti i ri kthen Durrësin në zemrën e turizmit shqiptar/ Forcë e shtuar në ekonomi

TIRANË, 16 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “falë portit të ri turistik, Durrësi do të jetë zemra e turizmit shqiptar dhe do të kthehet në një forcë të madhe të shtuar të ekonomisë shqiptare”.

Në prezantimin e masterplanit për portin e ri turistik të Durrësit, Rama kujtoi përpjekjet për të ardhur deri në finalizimin e kësaj ëndrre.

“Është emocionuese, sepse kjo është ëndërr e kahershme dhe gjithmonë kam dëshiruar dhe jemi përpjekur që marinën ujore të Durrësit ta kthejmë në një atraksion, por asnjëherë nuk kemi guxuar të shkojmë deri në pikën se mund të imagjinojmë se mund të ndërtonim këtu në Durrës portin më të madh turistik të Mesdheut”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “donim të ndërtonim një port turistik këtu pranë dhe kemi kontaktuar njerëz, kemi bërë shumë përpjekje për të tërhequr investitorë”.

“Historia e dhimshme e atij investitorit që pastaj e la Durrësin dhe shtegtoi në Malin e Zi nuk ishte një histori që ndihmonte. Kërkoi me insistim që të ndërtonte një port turistik këtu, nuk e çau dot, derisa u dorëzua, edhe pse ai besonte se këtu ishte vendi për të ndërtuar një port të ri për gjithë rajonin. Kjo sepse disa hapa larg që këtu kemi amfiteatrin më të madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës”, tha Rama.

Rama tha se, “kjo është një arsye për të sjellë këtu kategorinë më të lartë të turistëve, që kur ndalen në një breg shpenzojnë shumë, dhe me shpenzimet e tyre e ngrejnë lart të gjithë industrinë, sepse krijojnë vende pune të paguara mirë, rrjete dhe zinxhir vlerash për gjithë qytetin dhe vendin”.

Mali i Zi, tha Rama, transformoi vetveten me Port of Montenegro.

“Por ëndrrat që i shikon me sy hapur mjafton të kesh vendosmërinë për t’i ndjekur dhe një ditë realizohen. Mes një ëndrre me sy hapur dhe realizimit të saj në mes është një det i tërë. Ti duhet të jesh i gatshëm të përballosh të gjitha dallgët, befasitë dhe të vazhdosh dhe një ditë të bukur ëndrra fillon e bëhet më e afërt, më e mundshme. Ishte takimi me mikun tonë të shtrenjtë tanimë, që i hapi rrugë këtij projekti”, tha Rama.

Sot, tha ai, “ky nuk është një projekt i përgatitur për të bërë këtu një reklamë, por është vetëm kartolina e një projekti që është gati të fillojë me fazën e parë”.

“Projekti ka 5 faza dhe faza e parë nis në anën ku sot ndahen porti i Durrësit me pjesën që fillon gjithë plazhi i Durrësit. Në atë zonë të abandonuar ku ka vetëm grumbullime materialesh të vjetra, ferra, plehra e asgjë tjetër”, tha Rama.

Rama shprehu bindjen se “Durrësi do të kthehet aty ku ishte, atëherë kur këtu vinin ato pak anije që lëviznin në atë kohë dhe këtu lëvizte e gjithë tregtia”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.