Porte e aeroporte të reja, rritje marramendëse e numrit të turistëve/ Çorovoda ka çdo gjë për të jetuar me agroturizëm

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, me portet turistike dhe aeroportet e reja që do të ndërtohen, numri i turistëve në Shqipëri do të rritet në mënyrë marramendëse.

Duke folur në një takim me qytetarët në Çorovodë, Rama tha se, “këtu ku jemi sot jemi falë punës që kemi bërë”.

“S’ishte kështu këtu kur vije, apo jo? Dhe ka plot vende të tjera që kanë ndryshuar, por duhet të ndryshojnë edhe më shumë. Sepse unë mendoj që ky vend, ia kam thënë edhe Ilirit atëherë kur erdhëm, kur pashë kanionet, ky vend është bërë nga Zoti për të qenë një vend ku njeriu të jetojë në paqe dhe të jetojë në mirëqenie bashkë me fëmijët e tij, se i ka të gjitha. Zoti ia ka dhënë të gjitha”, tha Rama.

“Por megjithë këtë transformim që vjen, menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë, megjithë ato porta që do t’i hapim Shqipërisë nga deti dhe nga qielli, porte të reja turistike, aeroporte të reja, numri i turistëve në Shqipëri do të rritet në mënyrë marramëndëse dhe turistët në Shqipëri do të vijnë, jo thjesht për t’u larë në det, por do vijnë do të shkojnë më thellë, do kërkojnë. Dhe këtu është një vend i bekuar, qoftë për kanionet, qoftë dhe për agroturizmin”, u shpreh Rama.

“Këtu është vendi për t’ju thënë të gjithë atyre që kanë ikur, a në Tiranë, a në emigracion, që ta hapin shtëpinë, ta rindërtojnë dhe ta hapin shtëpinë e gjyshërve, për ta bërë bujtinë, për të mikpritur njerëz, për të pasur të ardhura”, theksoi Rama.

“Sa vende të mrekullueshme janë në thellësi të Italisë. Italia njihet për plazhet, por në thellësi të Italisë, janë vende të mrekullueshme që jetojnë me agroturizëm, që jetojnë me mikpritje, që jetojnë me bukuritë e natyrës që ua ofrojnë njerëzve që vijnë, me ajrin e mrekullueshëm, me historinë. Çfarë na mungon këtu? Asgjë tjetër përveç bashkimit dhe ecjes përpara. Të bashkuar dhe përpara”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.