“Për sa kohë kjo familje rri e bashkuar, Shqipëria është në duar të sigurta”/ PS në proces bashkimi përfundimtar

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nuk ka forcë që e përmbys fuqinë e madhe të bashkimit të familjes socialiste.

Duke folur në një takim me qytetarët në Çorovodë, Rama tha se, “nëse ne duam të ndërtojmë dhe duam ta ndërtojmë një administratë serioze, që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, që të ketë aty njerëzit e përzgjedhur të këtij vendi, jo nga partitë, kjo mollë e kalbur përfundimisht duhet flakur”.

“Kemi bërë punë të mira ne me LSI-në, nuk diskutohet fare në bashkëqeverisjen e 2013-ës. Po unë e di sesi i kemi bërë. Ne reformat, ata në trupin tonë. Edhe rriten patjetër. Ama në LSI unë kam parë jashtëzakonisht shumë njerëz të vlefshëm. Po jashtëzakonisht shumë. Kam parë plot njerëz me zemër dhe me shpirt aty. Jo njerëz të futur dhe të rekrutuar. Sepse besuan shumë. Besuan shumë”, tha Rama.

Dhe, shtoi kreu i qeverisë, “arsyeja pse sot ne në Berat e Çorovodë jemi kaq shumë, është sepse po kryejmë më në fund atë proces bashkimi përfundimtar të familjes tonë. Që u bëmë si shtëpi të çmendurish. Bashkohu, ndahu. Bashkohu, çohu në mëngjes, iku. Ku iku? Ka ikur tek komshiu. Bashkohu, ha darkë, festë, zgjohu në mëngjes, iku. Ku iku? Iku tek mullixhiu. Po prit se u bëmë shtëpi e marrë”.

Dhe nga kjo, theksoi Rama, “përfitonte gjithmonë Saliu, kuptohet, gjithmonë”.

“Po kur thotë Saliu kam fituar. Çfarë ka fituar Saliu? Saliu ka fituar vetëm një herë. Vetëm një herë ka fituar PD. Një herë të vetme në historinë e vet, në 92-shin. Vetëm një herë. Kur ka fituar? Ka fituar në 2005-ën? Fitoi në 2005-ën, sepse u nda kjo familje. Kur ka fituar tjetër? Më thoni kur ka fituar? Fitoi në 2009-ën, çfarë fitoi? Fitoi, sepse ishte kjo familje e ndarë. Iku prapë, na iku tek mullixhiu prapë. Si fitoi? Asnjëherë, po ju them. Përsa kohë kjo familje rri e bashkuar, për aq kohë Shqipëria është në duar të sigurta dhe nuk ka forcë që e përmbys fuqinë e madhe të bashkimit të kësaj familjeje. Kjo është fare e qartë. Fare fare e qartë”, u shpreh Rama.

Rama tha se, LSI tani ka arritur në fazën e degradimit përfundimtar.

“Tani ka arritur në fazën e degradimit përfundimtar. Shikoni çfarë ndodh. Domethënë është ngushtuar rrethi i kandidatëve dhe i përfaqësuesve të asaj partie, tek krushqia. Tek barku i shtëpisë, nuk i besojnë më askujt. E pushkatuan Luan Ramën në mes të Vlorës. E patë apo jo? Luan Rama është edhe i veteranëve të Luftës. Luan Rama u bë simboli i gjallë i asaj këngës, “mora pushkën dola malit të luftoja për atdhe, ku ta dija unë i shkreti se armiku ishim ne”. Iku. E pushkatoi në mes të Vlorës. Me ferman të Peço Vasilit. E patë? Luan Rama? Për çfarë e pushkatoi? Tradhëtar. Mbaroi Luan Rama. Ja tradhëtarët ku janë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.