Nga rruga Shëngjin-Velipojë, te Thethi e Skavica/ Beci zbulon investimet për Shkodrën

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kandidati i PS-së në Shkodër, Benet Beci deklaroi sot se në këtë qark do të marrin 4 deri në 5 mandate deputetësh.

Gjatë një interviste televizive, Beci tha se, “fushata ka ecur e qetë dhe ka një mobilizim të gjithë strukturave dhe objektivat janë 4-5 mandate për Shkodrën. Jemi munduar të kemi një fushatë të qetë  pozitive, pa konflikte me propozime dhe objektiva”.

Ai tha se lista e PS është një listë përfaqësuese dhe e kompletuar dhe ka një shpërndaje elektorale që mbulon të gjithë qarkun.

PS gjatë kësaj fushate po paraqet objektiva dhe projekte konkrete tha Beci, duke shtuar se, “pala tjetër nuk ka propozime konkrete, por akuzat të punëve të bëra nga ana jonë”.

“Kemi shumë investime, mjafton të përmendim rrugën e Vermoshit, rruga e Velipojës, rruga e Thethit, sheshin e Shirokës”, tha Beci.

Ai tha se ka investime të tjera në proces, siç është Shëngjin-Velipojë dhe rruga e Thethit, ndërsa nënvizoi se “objektivi është që në mandatin e tretë të transformojmë qytetin”.

Gjithashtu, Beci tha se edhe ndërtimi i Skavicës do ta kthejë vendin jo vetëm në fuqi energjetike, por do të reduktojë ndjeshëm problemin e përmbytjeve në Shkodër e zonat përreth.

“Skavica do të jetë një zgjidhe e rëndësishme për shmangien e përmbytjeve në të ardhmen, përveç faktit që e do të kthehet në një nxitje ekonomike për vendin dhe prodhimin e energjisë”, tha Beci.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.