“Ndër të parët në Europë për ritmin e vaksinimit”/ Ia dolëm kundër pasojave të tërmetit e armikut të padukshëm, votojmë pro ekonomisë dhe zhvillimit

TIRANË, 16 prill/ATSH/ “Tërmeti dhe pandemia na kanë tronditur, stresuar e lodhur, na duket se gjithçka është e mbulur nga një re gri, por reja është çarë dhe dielli ka filluar të shkëlqejë e rrezet e dritës kanë filluar të hyjnë nëpër shumë shtëpi ku qindra mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë kanë filluar të buzëqeshin, sepse e nxorën nga shtëpia ankthin e tmerrshëm se mund të binin në duart e armikut të padukshëm”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë takimit elektoral në Berat.

Qindra e mijëra gjyshe e gjyshër, theksoi Rama, kanë filluar të gatuajnë për nipër e mbesa, sepse nuk i takonin dot për shkak se, larg qoftë, duke i takuar ata mund t’u merrte jetën dashuria.

“Ndërkohë sot kjo lodhje, kjo mërzi, kjo situatë kërkon përgjigje më 25 prill se çfarë do të bëjnë shqiptarët: do të bien pre e këtyre ndjesive apo të ndihen krenarë. Me forcën e karakterit, bashkimit, durimit të jashtëzakonshëm, të besimit ne ia dolëm të jemi aty ku shumë vende të tjera nuk po ia dalin dot. Ne ia dolëm të qëndrojmë përballë pasojave katastrofike të një tërmeti të jashtëzakonshëm, ia dolëm të qëndrojmë përballë sulmit të virusit duke qenë sot ndër të parët në Europë për ritmin e vaksinimit, e duke qenë sot ndër të parët në Europë, ku buzëqeshja ka filluar të shpërndahet në fytyrat e njerëzve”, deklaroi Rama.

E pra, e vijoi fjalën Rama, kur ia dolëm kundër pasojave të tërmetit e armikut të padukshëm si nuk ia dilkemi ne pro Shqipërisë, pro njëri-tjetrit, pro ekonomisë e zhvillimit. “Na duhet vetëm të rezistojmë“, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.