Naço: LSI bënte eksperimente politike të dështuara, në krah të Ramës për Reformën në Drejtësi

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Beratit, Nasip Naço, në të kaluarën pjesë e LSI dhe ish-ministër i Drejtësisë, tha se “fitorja e PS në zgjedhjet e 25 prillit do të fillojë nga Skrapari”.

Gjatë fjalës së tij në takimin me qytetarë në Çorovodë ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama, Naço theksoi se “populli i Skraparit e do Edi Ramën”. Ai falënderoi Edi Ramën që i ka hapur derën e PS-së, ndërsa tregoi se përse zgjodhi që të kalojë nga LSI për PS.

“Unë nuk jam këtu për ta goditur me gurë LSI, problemet e mia nuk kanë qenë me anëtarët e LSI, por me lidershipin e kësaj partie”, – tha Naço.

Naço theksoi se e gjitha nisi me Reformën në Drejtësi dhe hezitimin e tyre për ta votuar. Ai tha se me të vërtetë e dogji mandatin e LSI, por e dogji, sepse nuk ndihej i përfaqësuar.

“Ata vetë thoshin që Lul Basha gënjen për orën dhe sot thonë që do e bëjmë kryeministër, dhe kjo do të thotë që do gënjejnë gjithë shqiptarët. Parti që bënte eksperimente politike të dështuara. Dy fjalë do i them, pse ika? Nuk pranuan të vazhdonte koalicioni me PS, në 2017. Hajde se do rrëzojmë Ramën që të vijë Luli. Pra një parti me 20 deputetë që s’kishte partner, por me qëllim që të bënte Lulin kryeministër”, tha Naço.

“Pastaj thanë që do të dalim nga Parlamenti për të rrëzuar Ramën. Dola dhe kam dorëzuar mandatin. Sepse mandati është i partisë, dhe unë e marr në emrin tuaj dhe dua t’ju shërbej në emrin tuaj përmes partisë. Por nuk mund të vazhdoj ama me eksperimente të dështuara që vazhdojnë edhe sot, le të mos na pranojnë në BE vetëm të rrëzojmë Edi Ramën. Një mik më tha, Nasip mirë bëre që erdhe, sepse na ishit bërë ju të LSI si guri në këpucë, nuk na lejonit të ecnim përpara. Unë e falenderoj Ramën, sepse për dy vjet Ministër i Drejtësisë më ka mbështetur në Reformën në Drejtësi”, – tha ai.

“Nëse kërkoja për një gjyqtar, që kishte pasuri në shumën e 3 milionë dollarëve të pajustifikuara, ditën tjetër e shikoja me ata që do ta mbronin. Nëse unë kërkoja që ta ndiqja penalisht, ditën tjetër e shikoja me atë që ishte kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. I jepte edhe kategorizim për atë gjykatë që mos ta penalizonin”, theksoi Naço..

“Nuk mund të vazhdoja më, ndaj falenderoj zotin Rama për Reformën në Drejtësi. I vetmi premtim që bëj është se do të jem në krah të Edi Ramës për Reformën në Drejtësi dhe reformat e tjera”, tha ai.

“Unë kam bërë marrëveshje me zotin Rama, që është për të hedhur sytë nga Skrapari. Vetë mbështetja juaj është mbështetja për PS, që do ta kthejë në një kantier ndërtimi Skraparin. Unë kam një premtim për kolegët e mi të djeshëm, po të shohësh sot asnjë kandidat i LSI nga 2017-a nuk është, sepse është përsëri një eksperiment politik i dështuar. I kërkoj miqve të mi të LSI-së që t’i bashkohen PS-së. I kam një borxh PS që i kam hequr vota në 2017-ën, sot unë do ia kthej këtë borxh Ramës e PS-së”, u shpreh Naço. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.