Mjekët e Infektivit: Mos e ulni vigjilencën, vaksina më e mirë është ajo që të ofrohet më shpejt

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Mjekët e spitalit Infektiv në QSUT, u kanë bërë apel qytetarëve të vijojnë të respektojnë rregullat antikovid pasi virusi vijon të jetë ende prezent.

“Njerëzit kurrë nuk duhet të harrojnë se kujdesin më të madh duhet ta ketë vetvetja dhe askush tjetër, edhe në Bibël thuhet ‘duaje veten, që të dojë dhe Perëndia’. Edhe njerëzia duhet të vazhdojë këtë kujdes, sepse ende nuk jemi në fund të tunelit, është ende një rrugë e gjatë ka ende sfida për t’u përballur dhe që të përballemi me sa më shumë sukses dhe sa më pak humbje jete duhet të kujdesemi sa më shumë për njerëzit që na rrethojnë”, ka apeluar profesor Tritan Kalo.

Prof. Pëllumb Pipero është shprehur se vaksinimi antikovid duhet të vijojë duke këshilluar qytetarët të vaksinohen për të siguruar mbrojtje ndaj virusit.

“Do t’i inkurajoja sërish të gjithë qytetarët që të vaksinohen sapo t’u jepet mundësia dhe t’u krijohet si të thuash momenti për ta marrë vaksinën. Edhe një herë dua të them që të gjitha vaksinat që kemi në dispozicion janë shumë të mira, madje do thosha që vaksina më e mirë është ajo që të ofrohet më parë duke ju kujtuar masat parandaluese të cilat do të na shoqërojnë deri në fund kësaj pandemie. Vaksinimi është mjeti apo zgjidhja kryesore për këtë”, nënvizoi Pipero. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.