Miqtë europianë mbështesin të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe kryeministrin Edi Rama/ Ja mesazhet


TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau një video, ku anëtarët e Parlamentit Europian, Tanja Fajon, Andreas Schieder, Bettina Vollath si dhe presidenti i PES në Komitetin Europian të Rajoneve, Christophe Rouillon japin urimet e tyre për Partinë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

Balla tha se miqtë europianë kanë dhënë mesazhet më të mira për Shqipërinë dhe mbështesin të ardhmen europiane të vendit.

Në fjalën e saj, kryetarja e Partisë Socialdemokrate të Sllovenisë si dhe njëkohësisht anëtarja e PE, Tanja Fajon tha se vetëm PS mund ta çojë Shqipërinë në Europë.

“Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm jo vetëm për sa i përket rrugëtimit europian, por edhe për faktin se në mënyrë të ngjashme si Europa dhe e gjithë bota iu desh të përballët me pasojat e pandemisë dhe me rimëkëmbjen pas pandemisë. Unë jam besimplotë se vetëm një Parti Socialiste e fortë mund ta drejtojë Shqipërinë në këto dy objektiva”, tha ajo.

Anëtari austriak i PE, Andreas Schieder tha se këto zgjedhje janë tepër të rëndësishmë për të ardhmen e Shqipërisë.

“Miqtë e mi shqiptarë. Zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tuaj. Për këtë arsye, si Socialdemokrat austriak ju uroj suksese në zgjedhje. Mbështes veçanërisht mikun tim Edi Rama dhe PS-në ”, theksoi ai.

“Si anëtare e PE-së dhe nënkryetare e delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE – Shqipëri, Zgjedhjet janë një proces vendimtar që qëndrojnë në zemër të çdo demokracie, dhe i japin legjitimitet udhëheqësit të vendit. Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma së fundmi dhe duhet të ndërmerren akoma më shumë në të ardhmen”, u shpreh Bettina Vollath, anëtare e Parlamentit Europian, Austri.

Presidenti i PES në Komitetin Europian të Rajoneve, Christophe Rouillon, theksoi se idetë socialiste janë më të mira për progresin ekonomik, integritetin dhe stabilitetin politik.

“Dëshiroj të konfirmoj mbështetjen time, për integrimin e Shqipërisë në BE. Idetë socialiste janë më të mirë për solidaritet social, progres ekonomik dhe drejtësi sociale, integrimet dhe stabilitetin politik. Të ndërtojmë një urë mes BE-së dhe Shqipërisë. Fat e sukses socialistëve në zgjedhjet e 25 prillit që mbahen në Shqipëri”, nënvizoi Rouillon.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.