“Më shpëtove nga halli i madh që kisha”/ Rama tregon mesazhin e simpatizantes së PD që do të votojë PS: Ne bast me jetën e njerëzve nuk vëmë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se PS nuk luan bixhoz me të ardhmen e shqiptarëve.

Duke folur në një takim me gra dhe vajza të Tiranës, Rama tregoi historinë e një gruaje demokrate, e cila i kishte thënë se do të votonte PS-në, pasi kishte shpëtuar nga halli më i madh që kishte, pasi burri nuk i luante më bixhoz që prej mbylljes së bixhozit në Shqipëri.

Rama u shpreh se, “përpara pak ditësh më shkruante një grua dhe më thoshte unë jam e djathtë. Unë kam halle, njërin prej fëmijëve e kam të sëmurë, dhe nëse nuk do të mendohesha dy herë do të votoja PD-në. Por si mund ta votoj unë PD-në kur ti, më thoshte mua, më ke shpëtuar nga halli më i madh që kam pasur, nga lekët që burri i humbte në baste dhe që ishin mallkimi i shtëpisë tonë”.

E në fakt, u shpreh Rama, “ky është dallimi mes nesh dhe PD-së. Ne sigurisht, padiskutim nuk jemi të përsosur, padiskutim nuk i kemi bërë të gjithë gjërat mirë, por ne bast me jetën e shqiptarëve nuk vëmë. Ne bast me të ardhmen e njerëzve tanë nuk vëmë. Ne bast me shkollën e fëmijëve nuk vëmë”.

Dhe çdo të thotë bast nuk vëmë, theksoi Rama, do të thotë nuk luajmë bixhoz me të ardhmen, nuk luajmë bixhoz me bebet që sapo lindin, nuk luajmë bixhoz me fëmijët që shkojnë në çerdhe dhe në kopsht, nuk luajmë bixhoz me ata që shkojnë në shkollë dhe që kanë tekste shkollore të denja, nuk luajmë bixhoz me jetën e atyre që pasi mbarojnë gjimnazin duhet të hyjnë në universitet sipas meritës. Nuk luajmë bixhoz me karrierën e mësueseve, të infermierëve dhe të mjekëve. Ne nuk luajmë bixhoz me punën e sipërmarrësve. Ne nuk luajmë bixhoz me më të moshuarit. Ne nuk luajmë bixhoz duke ardhur vërdallë duke u premtuar të gjithëve njësoj një nga ato “slot machine”-at e atyre mijëra, e mijëra, e mijëra pikave të bixhozit që u mbyllën dhe duke u thënë më jepni votën që t’ju jap lekë, më jepni votën që t’ju jap lekë, më jepni votën që t’ju jap lekë, më jepni votën që t’ju jap lekë, më jepni votën që t’ju jap lekë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.