LSI mollë e kalbur që po kalb gjithë arkën, largimi – një mision i të gjithëve që votojnë më 25 prill

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Çorovodë, këtë të premte, ka deklaruar se Ilir Meta ishte kandidati më i mirë për t’i dhënë opozitës presidentin dhe se Meta i kishte vetë votat për të marrë këtë pozicion.

Rama gjithashtu tha se kur vlerësoi kandidaturën e Metës për president, kurrë nuk e kishte imagjinuar se Meta do katandisej në pikën që do shëtiste Shqipërinë duke mbajtur torba me dekorata në bagazh.

“Tani dua ta sqaroj këtu, se është vendi për ta thënë qetësisht dhe qartësisht. Shumëkush mund të thotë ‘çfarë do ti, ti e zgjodhe Ilir Metën president, nga ty e kemi këtë peshqesh, madje dhe kur Ilir Meta imiton dhe Vojo Kushin në konferencë për shtyp, njerëzit thonë, Edi Rama është autori i kësaj shfaqjeje’. Nxjerr dhe Vojo Kushin mbrapa dhe pikturën e Sali Shijakut. Dhe aty njerëzve iu duket se Vojo Kushin pas e ka bërë Sali Shijakun, ndërsa Vojo Kushin president e ka bërë Edi Rama. Jo, nuk është e vërtetë”, – tha Rama.

“E vërteta është shumë e thjeshtë, në atë moment ne duhet të zgjidhnim presidentin. Ju e dini si ishte situata, Luli ishte në çadër, bashkë me tërë dynjallëkun e tij dhe thoshte: “Rama ik, se unë s’dal! Rama ik, se unë s’dal”. Ilirin kishim ne brenda, s’kishin njeri tjetër. Dhe Iliri kishte votat, dhe pa votat e Ilirit nuk bëhej presidenti. Nuk është se ne kishim votat dhe unë thashë ‘hajde të çojmë Vojo Kushin ta bëjmë president, se unë e di që ai nuk është Vojo Kushi njëherë dhe ai e di që nuk është Vojo Kushi’, dhe prandaj i është qepur Vojo Kushit që shqiptarët të kujtojnë se është Vojo Kushi”, – deklaroi Rama.

“E imagjinoni dot të dekoroni Heronjtë e Popullit? Heronjtë e Popullit janë perëndia në tokë për një komb. Tani si mund të dali një president, që është aty pesë vjetë dhe i jep dekoradë. Heroi i Popullit është tek Varrezat e Dëshmorëve, ky ça e bën? Mjeshtër të sportit, meqë Vojo Kushi ishte dhe sportist. Është njësoj si një prift të dekorojë Zotin. Do të identifikohet me ta. Sa herë e kap ankthi, jep dekorada për Heronjtë e Popullit. Kjo është tragjedia për Ilir Metën”, – thekson Rama.

“Ajo që vlen është se Ilir Meta ishte aty me votat e tij dhe ishte kandidati më i mirë për t’i dhënë opozitës presidentin. Nuk mund të gjenim një kandidat më të mirë për opozitën sesa Ilir Metën. Opozita ishte në çadër, presidentin ia dhamë ne salla. Natyrisht unë nuk e imagjinoja, deri tek Vojo Kushi nuk e kisha imagjinuar. Unë s’e imagjinoja që Ilir Meta do katandisej në pikën që do shëtiste Shqipërinë duke mbajtur torba me dekorada në bagazh. Unë këtë s’e kisha imagjinuar. Kurrë s’e kam imagjinuar, kurrë! Por, sidoqoftë ishte e qartë që ishte një president për opozitën”, – thekson Rama.

Rama tha se Ilir Meta duhet të kthehet në shtëpi dhe se misioni më 25 prill është largimi i LSI nga politika, pasi është një L.

“Historia më pas dihet si ka rrjedhur. Çfarë duhet të bëjë më shumë Skrapari për Ilir Metën? Pa Skraparin, Ilir Meta sot s’do ishte askush, pa skraparllinjtë, Ilir Metën s’do ta njihte askush. Ishte ky vend që Ilir Metën e bëri Ilir Meta. Por, sot është po ky vend, që duhet t’i thotë Ilir Metës e ke tepruar, është koha të shohësh punët e tua, se me punët e vendit ti më s’duhet të përzihesh, sepse është i vetmi në historinë e Shqipërisë, në dijeninë time dhe në historinë e Ballkanit, 30 vjeç kryeministër, 40 vjeç kryetar Kuvendi, dhe 50 vjeç president i Republikës. Të treja, s’ka Shqipëria të tjera, këto janë tre institucionet, rolet më të larta të shtetit në Kushtetutën e Shqipërisë”, – tha Rama.

“Kryetar i pushtetit ekzekutiv, kryetar i pushtetit legjislativ dhe kryetar i popullit shqiptar, simboli i unitetit, garanti i të gjithëve, babai i kombit. Por, kur babai del në lagje e çmend lagjen, merr masa për babain. Merr masa për babain, nuk lihet babai të bëhet lolua i lagjes çdo ditë. Babai është baba, unë s’ju them ju mos ta doni Ilir Metën, po mblidheni në shtëpinë e tij”, – tha Rama.

“Mblidheni në shtëpinë e tij, në sensin e shtëpisë në lidhje me atë që ju keni në dorë. Sepse ju e keni çuar Ilir Metën atje, Ilir Meta pa ju s’do ishte askushi. Ju e keni çuar atje. Tani, e ngjitët në një majë, e ngjitët dhe në majën tjetër, e ngjitët dhe në majën më të lartë dhe atje ka vënë ulërimën, tani zbriteni nga ajo majë. Do thoni ju si? Ai thotë se do bëjë një referendum të madh, tani është gjetur dhe vendi referendumit dhe ka vënë Vlorën si vendin për ta bërë këtë referendum, lërjani Vlorës këtë referendumin. Po këtu kush ju vjen e ju thotë votoni LSI, ej thirreni e u thoni, për çfarë ta votojmë LSI, ne nuk njohim LSI, ne njohim Ilir Metën, jo për LSI, dhe kush vjen këtu në emër të LSI-së le të shkojë të na ndihmojë të zbresë nga maja të shkojë në shtëpi, nëse ka akoma një afeksion për të”, – tha Rama.

“Unë jam i bindur se shumë nga këtu që jeni këtu sot, ndjeni keqardhje. Sot shumë nga ju këtu do donit që filmi të kthehej pas, që të më shikonit mua këtu bashkë me Ilir Metën. Jam i bindur që shumë nga ju që jeni sot këtu, jeni në vështirësi, jeni shumë në vështirësi, sepse ju kanë vënë në pozitë shumë të vështirë, është njësoj si ajo familja që babai fle rrugëve, edhe njerëzit thonë: ‘po mirë mo, ky i shkreti iku, po këta e shikojnë këta, po këta pse s’e marrin e ta tërheqin këta?’ Por, ju keni në dorë një gjë shumë të rëndësishme, ta ndihmoni Ilir Metën. Realisht ta ndihmoni, sepse në fund të fundit, politika shkon e vjen dhe ka një fjalë shumë të bukur: “Politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit mendojnë për gjeneratën e ardhshme”. Në politikanët që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, janë si Ilir Meta dhe ai është më i miri ndër politikanët që mendon për zgjedhjet e ardhshme. Sepse nga një farë që e hodhi këtu me emrin LSI, ngriti një rrotë të madhe për hir të së vërtetës, dhe LSI u bë një forcë që vetëm rritej e rritej, duke u ngjitur mbas partisë më të madhe dhe duke marrë copa-copa nga trupi i partisë së madhe. E kanë provuar të dyja partitë e mëdha. Është një peshk, peshku pilot, që është peshku më i shpejtë, e dini pse? Jo se ikën vetë shpejt, por se ka buzë shumë të trasha dhe i ngjitet një anije dhe anija e çon matanë dhe i lë mbrapa të gjithë peshqit e tjerë. Tani PS, anija për peshkun pilot të LSI u bë, por nuk është ky problem. Se s’kemi ardhur këtu për këtë, problem është që LSI-ja, nga një risi në politikën shqiptare, nga një forcë që ju dha shumë shpresë, shumë mundësi shumë të rinjve, shumë socialistëve të zhgënjyer me partinë e tyre, shumë njerëzve që meritonin të kishin më shumë vëmendje dhe respekt nga PS, e nuk e kishin, në mollën e kalbur që kalb gjithë arkën. Se u çmendën të tërë. Mua më vinin njerëzit e PS: shikoji ata të LSI, ta bëjmë si ata të LSI, se ata të LSI e bëjnë kështu, vende pune, vende pune. Ata të PD u çmendën fare dhe ata, por partitë e mëdha, kur imitojnë partitë e vogla, ose partitë le të themi të mesme, se u bë e mesme, Ilir Meta tha se do bëhej forcë e parë, u çmend, tani Monika thotë do marrë 40 deputetë, por do marrë 40 se mund të merrte dhe 60, por do marrë 40 se do i lërë dhe Lulit disa”, – tha Rama

“Molla që kalbi gjithë arkën, dhe sot, Partia Demokratike, krahasuar me 2017 është rritur, se shumë nga demokratët që vajtën pas peshkut pilot, po kthehen në rrjetë. Po rata, largimi i kësaj molle nga arka, është një mision, i të gjithë atyre që votojnë më 25 prill. Është mision, më besoni, s’ka lidhje me numrat. Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet, do ketë shumicën absolute, do vazhdojë të qeverisë Shqipërinë, kjo nuk diskutohet, por kjo mollë e kalbur, duhet flakur përfundimisht jashtë gare, sepse i ka prekur dhe mollët e tjera. Sëmundja e madhe që LSI futi në politikën shqiptare, është prezente dhe në PS, edhe në PD, por ky është muhabet tjetër, ata duan makina, flamuj, ngrenë dy gishta, shtrojnë rrugët me sheqer se vjen Luli dhe janë në rregull. Është një sëmundje që ka prekur shumë politikën dhe jo vetëm, por ka bërë që shumë njerëz, që meritojnë të kenë shansin të shërbejnë për shtetin, të mos munden, sepse duhet të kalojnë nga partia”, – tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.