Kushi me vëllezërit e mirënjohur Zena: Krenare për ikonat e muzikës popullore të Elbasanit

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njëkohësisht kandidate për deputete e PS në qarkun Elbasan, Evis Kushi zhvilloi sot një bisedë me ikonat e muzikës popullore elbasanase Mehdi dhe Demir Zena.

“Është gjithmonë kënaqësi të takosh ikonat e muzikës popullore të Elbasanit, Mehdi dhe Demir Zena, thinjat fisnike dhe buzëqeshjen e ëmbël të të cilëve më kishte marrë malli t’i shoh nga afër”, – shprehet Evis Kushi, teksa ka publikuar një fotografi me vëllezërit e mirënjohur Zena.

Ndërkohë, ajo nënvizon se me vëllezërit Zena ka zhvilluar një bisedë të këndshme rreth aktualitetit.

“Si një elbasanase e rritur me këngët dhe zërin e tyre të veçantë që e do e gjithë Shqipëria, u ndjeva me të vërtetë mirë që gëzonin shëndet të plotë dhe zhvilluam një bisedë shumë të këndshme rreth sfidave aktuale që ka shoqëria e sotme. Faleminderit që na bëni gjithmonë krenarë”, – shprehet Kushi.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.