Kushdo që në krye të vendit sillet si një grua, voton PS-në. Kush do që në krye të vendit të ketë një burrë që luan bixhoz, voton PD-në

TIRANË,16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “ngjitja për në majën ku jemi nisur nuk bëhet duke gënjyer njëri-tjetrin se është e lehtë, por bëhet duke qenë të vetëdijshëm që është e vështirë, se po të ishte e lehtë do të kishim arritur me kohë”.

Gjatë fjalës së tij në takimin me gra në Tiranë, Rama tha se “në këtë moment është shumë e rëndësishme që gratë ato që e dinë se çfarë do të thotë të mbash shtëpinë, të mbash fëmijët, të kujdesesh për burrin, prindërit e burrit, prindërit e tu, dhe aq më tepër të kujdesen për të gjitha këta në një kohë kaq të vështirë sa po kalojmë, duhet të marrin duhet të marrin fatin e votës në dorë më 25 prill”.

“Askush më shumë dhe askush më mirë sesa gratë nuk e kupton ç’do të thotë të dorëzohesh kur lodhesh, të dorëzohesh kur mërzitesh, të dorëzohesh kur zhgënjehesh. Askush më mirë sesa gratë nuk e kupton që ka vetëm një rrugë për t’u përballur me mërzinë, me lodhjen, me zhgënjimin, që është të vazhdosh, të besosh, të punosh e punosh përsëri. Kush thotë “lekë, lekë, lekë” thjesht kërkon që ta manipulojë shpirtin e lodhur, shpirtin e trazuar, shpirtin e mërzitur. Ndërsa kush thotë “punë, punë, punë” kërkon ta mobilizojë, ta motivojë, ta çojë në betejë, sepse Shqipëria duhet ta mbarojë betejën. Shqipëria, e cila po fiton një luftë në dy fronte që do kishte gjunjëzuar edhe një elefant, duhet sot të jetë e vetëdijshme si asnjëherë, që asgjë nuk është pamundur nëse shkojmë përpara të vendosur në të njëjtin drejtim”, tha Rama.

Ai theksoi se, “politika duhet të bëjë që bashkimi të mos të vijë nga vuajtja ose nga halli, por të vijë nga bindja se ky është detyrimi më i madh, është detyrimi më i rëndësishëm, është detyrimi më i dobishëm ndaj njerëzve, për ta bërë politikën një hapësirë ku njerëzit të mos kenë frikë të hyjnë, ta bëjnë politikën ku shumë Ogerta, Etilda, shumë Elisa, Bora, Edona si në Shkodër, të hyjnë”.

“Të mos kenë frikë të përfshihen se menjëherë i bie mbi kokë balta e qiellit, menjëherë qielli nga blu merr ngjyrën e murrme dhe toka nën këmbë fillon e tundet, dhe shtëpia futet në elektrizimin e përditshëm dhe të përnatshëm të tensionit që vjen nga jashtë dhe godet njerëzit e shtëpisë, godet fëmijët. Që kur fëmijët shkojnë nëpër shkolla, fëmijët rreth e rrotull t’i shikojnë si njerëz të çuditshëm, që nuk janë thjesht shokë, bashkëmoshatarë. Kjo qenëri duhet të tejkalohet dhe të lihet pas, sepse Shqipëria është shumë e vogël për të mos ia dalë. Por duke qenë kaq e vogël, është e destinuar vetëm të bjerë poshtë ku rri e ndarë dhe kjo nuk ka lidhje fare çfarë bën industria e botoksit mediatik. Të jemi shumë të qartë, të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të pasur më shumë në jetë, sesa të punosh më shumë, ka vetëm një rrugë në 25 prill, Partinë Socialiste, se nuk ka asnjë rrugë tjetër”, deklaroi lideri i PS-së.

“Të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të shkuar më larg, sesa të ecësh më shumë, ka vetëm një rrugë më 25 prill, Partinë Socialiste. Për t’u ringritur pasi të ka rrëzuar stresi, mërzia dhe pakënaqësia, do të thotë të ngrihesh vetë dhe të mos presësh të vijë dikush tjetër dhe të ngrihet për ty, kanë vetëm një rrugë në 25 prill, Partinë Socialiste”, theksoi ai.

“Mesazhi im për të gjitha gratë, nënat, vajzat është shumë i qartë: Ndjesë për gjithçka që politika ka bërë për t’iu shtuar lodhjen, mërzinë, pakënaqësinë dhe mirëkuptim për faktin se kur fle me qenin, ngrihesh me morra, është e pamundur të mos përfshihesh, të mos përzihesh dhe të mos përbaltesh. Ama, mirëkuptim dhe besim për një të vërtetë të thjeshtë. Shqipëria, sot është shumë më tepër Shqipëria e grave dhe vajzave, sesa ishte përpara se ne të merrnim detyrën. Nëse kthehem tek shembulli i asaj gruas me burrin që luante bixhoz, në 25 prill, burri është PD-ja dhe gruaja është PS-ja. Kushdo që në krye të vendit sillet si një grua, voton PS-në. Kush do që në krye të vendit të ketë një burrë që luan bixhoz, voton PD-në”, përfundoi Kryeministri Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.