“Kush thotë lekë, lekë, lekë, kërkon të manipulojë”/ Kush thotë, punë, punë, punë, kërkon motivim dhe betejë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “kush del dhe thotë lekë, lekë, lekë, lekë, thjesht kërkon që ta manipulojë shpirtin e lodhur, shpirtin e trazuar, shpirtin e mërzitur. Ndërsa kush thotë, punë, punë, punë, punë kërkon ta mobilizojë, kërkon ta motivojë, kërkon ta çojë në betejë”.

Duke folur në një takim me gra dhe vajza të Tiranës, Rama u shpreh se, “si mundet sot të ketë njerëz, të cilët t’i dorëzohen stresit t’i dorëzohen, t’i dorëzohen lodhjes, t’i dorëzohen mërzisë, t’i dorëzohen pakënaqësisë dhe të shkojnë pas një Rrapushi dhe të besojnë se ato që ai thotë mund të bëhen?! Dhe kush i thotë ai që kur doli atëherë për të marrë bashkinë e Tiranës shkonte nëpër furrat e bukës dhe i thoshte më shih në sy, më shih në sy dhe po të shoh në sy dhe kapte bukën dhe thoshte unë do ul çmimin e bukës; apo kur dilte dhe ekspozonte tramvajin e Tiranës; apo kur premtonte që do t’i hiqte të gjitha taksat në Tiranë dhe Tirana do të çlirohej nga fjala, taksë dhe në Tiranë të gjithë do të punonin. Të gjithë do fitonin, të gjithë do jetonin, e do kishin aq shumë lekë që mos ngelej më as rrush, as kumbulla për të tjerët”, tha Rama.

“Çfarë erdhi mbrapa? Mbrapa erdhi ajo që vjen gjithmonë në këto raste s’vjen asnjë gjë tjetër. Vjen boshllëku. Vjen boshllëku në të cilin shoqëria zhytet përsëri. Vjen vakuumi ku Shqipëria mpaket përsëri. Vjen ajo forca thithëse që e tërheq Shqipërinë poshtë në forma të ndryshme”, theksoi Rama.

“Unë nuk them se nëse votohet Xhaferri i vogël, do shkojë Shqipëria në flakë. Por do të shkojë poshtë, nuk do të vazhdojë të ngjitet, se s’ka sesi. Ngjitja për në majën ku jemi nisur nuk bëhet duke gënjyer veten dhe njëri-tjetrin se është e lehtë, por bëhet duke qenë të vetëdijshëm se është e vështirë. Se po të kishte qenë e lehtë ne do të kishim arritur në atë majë me kohë e me vakt, por nuk është e lehtë. Dhe në këtë moment është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme, është më e rëndësishme sesa shumë herë të tjera që gratë, ato që e dinë se çfarë do të thotë të mbash shtëpinë, ato që e dinë se çfarë do të thotë të mbash fëmijën, ato që e dinë se çfarë do të thotë të kujdesesh për burrin, të kujdesesh për prindërit e burrit, të kujdesesh për prindërit e tu, dhe aq më tepër të kujdesesh për të gjithë ata në një kohë kaq të vështirë sa kjo që po kalojmë, duhet të marrin fatin e votës në dorë në 25 prill, sepse askush më shumë dhe askush më mirë sesa gratë nuk e kupton se çfarë do të thotë të dorëzohesh kur lodhesh, të dorëzohesh kur mërzitesh, të dorëzohesh kur zhgënjehesh. Dhe askush më mirë sesa gratë nuk e kupton që ka vetëm një rrugë për t’u përballur me mërzinë, me lodhjen, me zhgënjimin që është të vazhdosh, që është të punosh, që është të durosh, që është të besosh dhe të punosh, e të punosh, e të punosh përsëri”, theksoi Rama.

“Kush del dhe thotë: lekë, lekë lekë, lekë, thjesht kërkon që ta manipulojë shpirtin e lodhur, shpirtin e trazuar, shpirtin e mërzitur. Ndërsa kush thotë: punë, punë, punë, punë kërkon ta mobilizojë, kërkon ta motivojë, kërkon ta çojë në betejë, sepse Shqipëria duhet të vazhdojë betejën, sepse Shqipëria, e cila po fiton një luftë në dy fronte, që do të kishte gjunjëzuar edhe një elefant, duhet sot të jetë më e vetëdijshme se asnjëherë që asgjë nuk është e pamundur nëse ne shkojmë përpara të vendosur në të njëjtin drejtim”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.