Kryemadhi në Gjirokastër: Ajo çfarë shikojmë ne përditë janë fshatrat e braktisur

TIRANË, 16 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në takimin e Gjirokastrës u kërkoi mbështetësve të LSI-së që të trokasim derë më derë, të bisedojnë me të gjithë njerëzit.

Ajo tha se në fakt më shumë socialistë se Vangjeli, Monika, Aldi, Berti, nuk mund të gjejnë dot të gjithë socialistët e të gjithë qarkut të Gjirokastrës për të patur shansin për të votuar më 25 prill Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Tek vinim tani rrugës më thotë Vangjeli që nesër lartmadhnia paska takimin në orën 4 mbasdite dhe ka marrë të gjithë administratën me firma për të qenë prezent. Ai nuk është as lartmadhni, as poshtëmadhni. Ai është një në ikje, i cili shkatërroi familjet shqiptare, shkatërroi ekonominë shqiptare, shkatërroi të rinjtë shqiptarë, që i largoi nga Shqipëria dhe aq më shumë po shkatërron çdo ditë e më shumë identitetin tonë”, u shpreh Kryemadhi.

“Nuk është i paqëllimshëm largimi i spitalit rajonal të Gjirokastrës drejt Fierit, sepse do t’i detyrojë gjirokastritët, tepelenasit, libohovitët, dropullitët e të gjithë, të shkojnë të kurohen në Greqi, kur ndërkohë duhet të kenë spitalin e tyre në mes të qytetit. Nuk është i paqëllimshëm largimi i arkivave drejt Lushnjës, sepse kërkon tjetërsimin e gurëve të sokakëve të Gjirokastrës, kërkon tjetërsimin e historisë shqiptare”, tha Kryemadhi.

“Ajo çfarë shikojmë ne përditë janë fshatrat e braktisur, janë shtëpitë e braktisura për shkak të mungesës së punës, për shkak të mungesës së zhvillimit të ekonomisë, për shkak të mungesës së zhvillimit të turizmit, për shkak të mungesës së zhvillimit të jetës së përditshme, për shkak të mungesës së dëshirës dhe vizionit për ta zhvilluar këtë vend. Unë gjithë jetën kam punuar me rininë, forca ime dhe kurajo më ka ardhur prej tyre. Nëse unë do të isha tjetërsuar do ta kisha shumë të vështirë, nuk do të kisha këtë energji, nuk do të kisha këtë ritëm. Nuk do të kisha dhe këtë qëndresë”, vijoi ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.