Kryemadhi: Ftesa e Ramës për Bashën nuk më shqetëson, kemi konsoliduar bashkëpunimin

TIRANË, 16 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha sot se ftesa e Ramës për Bashën nuk e shqetëson, pasi pas djegies së mandateve u arrit në një konsolidim të jashtëzakonshëm për fitore plebishitare të opozitës.

“Marrëdhënia ime me Bashën është një marrëdhënie që i kalon pritshmëritë politike, po themi të shumë marrëdhënieve të tjera që kanë pasur më përpara. Unë kam një eksperiencë shumë të mirë me Bashën, të fushatës të 2011 kur ai kandidonte për kryetar bashkie në Tiranë dhe unë isha kryetare e LSI në Bashkinë e Tiranës dhe patëm një fitore të jashtëzakonshme edhe pse ishte një nga nyjet dhe ngërçet e lidhjes së infrastrukturës së krimit të ndërtimit me mafiet që ne e zhbëmë”, tha Kryemadhi.

“Nga ana tjetër, që me djegien e mandateve, me të gjithë procesin dhe hartimin e të gjithë planit të punës së opozitës me të mirat dhe të këqijat se nuk mund të themi që jemi perfekt, nëse do themi që jemi perfekt bëjmë gabimin më të madh të jetës sonë por me të mirat dhe të këqijat tona aty ku kemi mësuar nga gabimet, kemi mësuar nga defektet gjatë rrugës, kemi mësuar nga sjelljet, kemi arritur që të kemi një konsolidim të jashtëzakonshëm për të arritur një fitore plebishitare të opozitës”, u shpreh ajo.

“Kjo fitore, jam e bindur që do kalojë të gjitha pritshmëritë, qofshin këto edhe të vetë opozitës edhe të shumë analistëve të tjerë. Nuk është fitorja jonë thjesht numri i mandateve që marrim. Fitorja jonë është ç’tensionimi i kësaj klime, hapja e negociatave me Shqipërinë për të cilën Basha është angazhuar që do ta realizojmë brenda 100 ditëve dhe jam e bindur që kjo gjë realizohet. Dhe tjetra krijimi i besimit të gjithë shoqërisë shqiptare tek strukturat dhe rikthimi i strukturave dhe institucioneve të shtetit në normalitet dhe në depolitizimin total të tyre”, tha Kryemadhi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.