Gjyqi ndaj Becchett-it/ Do të paguajë një për një për dëmet ndaj shqiptarëve

TIRANË, 16 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se biznesmeni italian Francesco Becchetti do të paguajë në rrugë gjyqësore një për një për dëmet që u ka sjellë shqiptarëve.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “Ilir Meta, Saliu dhe të gjithë kanë vënë shumë shpresë te ky marifetçiu në këto zgjedhje duke përdorur papushim këtë gjyq. Ato 110 milionë euro nuk ka për t’i marrë kurrë. Kjo përballje nuk ka mbaruar. Se si, nuk e them dot tani, se është ndërtuar strategjia, por ai do të paguajë një për një dëmet që u ka sjellë shqiptarëve, dhe jo në rrugë mediatike, por në rrugë gjyqësore”, tha Rama.

I pyetur se si do të ndodhë kjo, Rama tha se “këtë nuk e them dot këtu, sepse është strategji e skuadrës që ne kemi për këtë punë. Kemi një skuadër avokatësh dhe ekspertësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë që merren me këtë punë. Nuk ta them dot se si do bëhet, se nuk tregoj lëvizjet e shahut, por kjo nuk ka mbaruar dhe surpiza për të do jetë shumë e madhe. Edhe për Saliun e Ilirin që pa pikën e turpit mbrojnë një njeri në kërkim nga drejtësia shqiptare për pastrim parash dhe evazion”, tha Rama.

“110 milionë eurot e shqiptarëve, marifetçiu i paskrupullt t’i harrojë, ndërsa dëmet që i ka bërë ai do t’i paguajë një për një. Ne kemi fituar 3 gjyqe dhe ai do t’i japë buxhetit të shtetit shqiptar ndërkohë, lekë për gjyqet që ka humbur”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.