Gjiknuri: Një Vlorë e zhvilluar do të krijojë mjedisin e duhur edhe për zhvillimin e artit

TIRANË, 16 prill /ATSH/ “Vlora e gjeneratës tjetër, arti përmirëson kohën”. Ishte kjo kryefjala e aktivitetit që bëri bashkë poetë, shkrimtarë, arkitektë e intelektualë të qytetit të Vlorës.

Të ftuar në aktivitetin e organizuar nga deputeti Fate Velaj, ishin drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, deputetja Vilma Bello, kandidatët për deputetë Anduel Tahiraj dhe Ilir Metaj, si dhe personalitete që në fushat që përfaqësojnë i kanë dhënë kontribute të çmuara zhvillimit të qytetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse deputeti Fate Velaj tha se, “progresi dhe zhvillimi i Vlorës, si një qytet me shumë potenciale duhet të shoqërohet nga zhvillimi shpirtëror i Vlorës së të ardhmes, me qëllim krijimin e një bërthame ku të kryesojë roli i artistit si mendimtar i shoqërisë. Vlora ofron të gjithë garnizonin e artistëve të talentuar të cilët mbështesin dhe duan zhvillimin e Vlorës, e cila nën qeverisjen e Ramës ka njohur progres të jashtëzakonshëm. Artistët dhe intelektualët e qytetit janë njerëzit më vizionarë që, e duan dhe janë pararojë e çdo zhvillimi në qytet”, theksoi deputeti Velaj.

Drejtuesi politik i socialistëve për qarkun Vlorë Damian Gjiknuri duke shprehur mirënjohjen për ftesën në një aktivitet ku kryeson dashuria për artin u shpreh se, “progres i jashtëzakonshëm i qarkut të Vlorës jo vetëm në zhvillimin turistik dhe ekonomik, por edhe si një pol e dimension multikulturor. Politika duke përmirësuar jetën e qytetarëve të saj do të mundësojë dhe promovimin e talenteve të reja, pasi arti ka nevojë të vazhdueshme për promovim. Një Vlorë e zhvilluar do të krijojë mjedisin e duhur edhe për zhvillimin e artit”.

Pas bashkëbisedimit të fokusuar në rëndësinë e zhvillimit të artit në qytet, të pranishmit vizituan ekspozitën me punime në pikturë të titulluar “Vlora është kulturë”, ku u prezantuan piktura me pamjet më piktoreske të natyrës vlonjate, si dëshmi e faktit se Vlora është qyteti ku artisti frymëzimin e ka të pashmangshëm, e telajot e një piktori mund të gjejnë larmi peizazhesh për të realizuar piktura të jashtëzakonshme në Vlorën që frymëzon në çdo kohë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.