“Fushata deri tani e civilizuar, përjashtuar Metën”/ Për zgjedhjet pres çdo gjë nga Iliri e Saliu, të mjegulluar nga Drejtësia

TIRANË, 16 prill/ ATSH/  “Fushata elektorale është një fushatë elektorale e civilizuar, natyrisht duke përjashtuar Ilir Metën dhe Saliun”, u shpreh kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “Meta ka një karrierë unikale, por ka dalë jashtë funksionit të Presidentit”.

Rama u ndal tek zhvillimi i fushatës deri tani gjatë një interviste televizive.

“Ilir Meta për fat të keq ka hyrë në një proces degradimi dhe këtë e them me keqardhje. Ilir Meta nuk është dikush që ka bërë vetëm gabime dhe ka bërë vetëm keq, Meta ka bërë edhe punë të mira, por sot Ilir Meta duhet ndihmuar realisht. Në Skrapar unë u thashë atyre dhe ua them të gjithëve, që kush realisht ndjen për Ilir Metën diçka, ndihma me e madhe që mund t’i japë është që të mos votojë LSI dhe nga ana tjetër Ilir Meta të kuptojë se historia e tij, kështu siç ai e ka bërë 30 vjeç kryeministër, 40 vjeç kryetar Kuvendi, 50 vjeç president është një histori unikale”, u shpreh Rama.

“Nuk e ka pasur këtë fat dhe këtë nder asnjë në historinë tonë, mesa di unë edhe në rajon nuk di ndonjë rast. Këto që shohim ne janë vetëm pasthënia e cila mund të zgjasë e mund të zgjasë akoma deri kur t’i mbarojë mandati Ilir Metës, por Ilir Meta ose duhet të rishpikë vetveten pasi të ketë shkuar një herë në shtëpi ose pastaj është i pakurueshëm, i pangushëllueshëm. Është një situatë absurde, një situatë që si ka ndodhur asnjë vendi, që të ketë një President që del komplet nga shinat, jo thjesht të rolit të tij, por del nga shinat e logjikës”, tha Rama.

Në lidhje me ndonjë skenar destabilizimi pas zgjedhjeve, Rama tha se nuk parashikon, por e vuri theksin se “Ilir Meta është jashtë vetes, totalisht jashtë funksionit të Presidentit, totalisht jashtë kapakut të mendjes dhe çdo gjë mund të presësh”.

“Fushata elektorale pavarësisht jo kukulla, jo ndryshimi është një fushatë elektorale e civilizuar, natyrisht duke përjashtuar Ilir Metën dhe Saliun. Këta të dy janë ata që duan ta mbajnë Shqipërinë në atë qefullin e mendjes së tyre, e mendjes së tyre që është shumë e mjegulluar për shkak të reformës në drejtësi”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.