Ftesa për Bashën/ Nuk është thirrje për të bërë qeveri bashkë, ne do marrim shumicën absolute

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ftesa ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk është një është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë, siç bëri Saliu qeverinë me këtë Liken nga halli, kur nuk kishte votat, apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesat e tyre”.

Në fjalën e tij gjatë takimit me vajza dhe gra të kryeqytetit, Kryeministri Rama tha se, “e keni dëgjuar këto ditë gjithë atë zhurmën me atë çfarë unë thashë sa i përket bashkëpunimit me Bashën dhe PD? Natyrisht që mënyra si komentohet është e njëjta me botoks ose me zhgarravina”.

“Në fakt, sot nëse ka këtu në këtë vend vesh që mund ta dëgjojnë e mund ta kuptojnë deri në fund atë që unë them, janë veshët e nënave të reja e të moshuara, janë veshët e gjyshërve, që me të drejtë kanë shqetësimin se çfarë do bëjë më shumë për ne Edi Rama, PS-ja, politika për ne, shtëpinë tonë, nipërit e mbesat dhe si do të bëhen të gjitha këto, se të bukura duken, dhe dakord jemi duan mundim, duan punë, si do bëhen me këtë politikë, që është mbi nam e sahat, që plas gjatë gjithë rrugës, ndërkohë që ne duam të ecim përpara e të ndërtojmë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “thirrja për t’u bashkuar, vetëdija ime se bashkimi dhe tejkalimi i kësaj politike, është një domosdoshmëri, bindja ime se dalja përtej tunelit të pandemisë dhe hyrja në një fazë tjetër, ku ne kemi mundësi që diellin e mrekullueshëm të Shqipërisë ta bëjmë të mrekullueshëm jo vetëm për turistët dhe ata që munden, por ta bëjmë një diell edhe për ata që sot s’munden, nuk është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë, siç bëri Saliu qeverinë me këtë Liken nga halli, kur nuk kishte votat, apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesat e tyre. S’ka lidhje fare. Ne s’kemi nevojë dhe as nuk do të jemi në nevojën për të kërkuar vota apo të kërkojmë të tjerë, sepse ne në 25 prill do të marrim shumicën absolute. Por është një thirrje për ta bërë politikën t’i ngjajë sadopak, në mos shumë, se shumë do të ishte mrekulli, shqiptarëve përballë tërmetit, pandemisë, rrezikut”, – tha Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.