Bushati, takim me pensionistë në Perash: Rritje e pensioneve sa dyfishi i inflacionit çdo vit

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun Shkodër, Helidon Bushati ka zhvilluar një takim me pensionistë në lagjen “Perash” në qytetin e Shkodrës, ku ka bashkëbiseduar për shqetësimet që kanë.

Pjesë e takimit ishin edhe prindërit e tij, të cilët si të gjithë pensionistët përballen me të njëjtat probleme.

Bushati shpalosi programin e Partisë Demokratike dhe përfitimet që do të ketë kjo grupmoshë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Ai u angazhua se qeveria e ardhshme do të rrisë pensionet sa dyfishi i normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5 % në vit. Po kështu pensionistët do të jenë përfitues të skemës së rimbursimit të ilaçeve, uljes së çmimit të energjisë elektrike.

Bushati, tha se në qendër të vëmendjes do të ketë familjen shqiptare, mbështetjen ndaj biznesit, mbështetjen ndaj të rinjve si dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Në 8 vitet e fundit, ju jeni përballur me premtime boshe, jeni përballur me gënjeshtra të kësaj qeverie, nuk jeni të vetmit. Çdo familje shkodrane, çdo familje shqiptare është përballur me gënjeshtra, Shkodra vet është përballur me gënjeshtra dhe me përbuzje. Shkodra sot gjendet në një situatë jashtëzakonisht të keqe. Secili prej jush e ndjen çdo ditë nëpërkëmbjen e rilindjes për kryeqendrën e veriut, për qytetin që aq shumë i ka dhënë Shqipërisë. Varfëria ka zënë vend në tryezat e secilit prej nesh, e secilit prej jush edhe të familjes time. Ju përballeni me të njëjtat probleme që përballet çdo familje shkodrane, çdo familje shqiptare”, tha ai.

Bushati shtoi se sot përballemi me një qeveri që mendon veç për vete. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.