Bozo: PS, e vetmja forcë politike që beson në forcën e grave dhe vajzave jo me fjalë po me vepra

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste në Tiranë, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo gjatë takimit me gra dhe vajza në Tiranë, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Rama, tha se, “ne jemi gjysma e shoqërisë dhe pa këtë gjysmën e shoqërisë nuk mund të ecë përpara vendi. Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që beson në forcën tonë, dhe beson fort jo me fjalë, po me vepra”.

“Bëri të mundur që në parlamentin tonë të ketë një kuotë përfaqësimi të domosdoshme të grave dhe vajzave që në qeverinë e PS, që është e jashtëzakonshme ka kaq shumë gra ministre që nuk ka në rajon e ndoshta në Europë. Gjithashtu ka ndërmarrë një sërë politikash për gratë dhe vajzat që duan të futen në tregun e punës, të krijojnë pavarësinë e tyre ekonomike dhe për t’i dhënë fund të gjitha atyre shfaqjeve të shëmtuara që ndodhin herë pas here në shoqërinë tonë”.

Bozo theksoi se, “është kjo forcë politike që beson fort në misionin e veçantë që ka gruaja si ripërtëritëse e jetës dhe jo me fjalë po me vepra ka kontribuar që të shtohet numri i lindjeve në Shqipëri në mënyrë që kombi ynë mos të plaket kurrë, por të jetë një komb i ri. Ju ftoj të gjithave të bëjmë të pamundurën që të dalim në votime dhe të votojmë për PS, se votojnë për të ardhmen tonë, të familjes sonë dhe fëmijëve tanë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.