Bashës i duhen 3.4 miliardë lekë për të përmbushur programin dhe rritje ekonomike 18 %

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se për të përmbushur premtimet e dhëna, kryetarit të PD-së i duhet një fond prej 3.4 miliardë lekësh dhe një rritje ekonomike prej 18 %.

“Premtimet e Lulzimit nuk dalin në asnjë lloj llogarie. I duhen 3.4 miliardë lekë dhe një rritje prej 18 % dhe një rritje prej 18 % nuk e ka patur as Kina në momentin e bumit të madh”, u shpreh Kryeministri gjatë një interviste në medie.

Sipas tij, nga premtimi, te realizimi fillon një histori tjetër.

“Kam premtuar aeroportin e Vlorës dhe kam luftuar për ta çuar drejt realizimit. Hyn në një proces dhe ka plot aktorë që duhet të sinkronizohen që të shkojë deri në fund. Vjen puna të hapësh garën dhe vjen një virus dhe gara ngrin. Ka shumë dinamika që e bëjnë transformimin në fund si bilanc nga gjithçka është premtuar”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se pavarësisht situatave, nuk kishte harruar asnjë premtim të dhënë dhe se ato po mbahen. “Gjërat kërkojnë kohën e tyre”, theksoi Rama.

Më tej Rama komentoi edhe LSI-në duke thënë se e ktheu në sistem punësimin mbi bazën e bindjes partiake.

“LSI është shëmbëlltyra e degradimit dhe kalbëzimit. Të mendosh të votosh sot për LSI-në është vërtet të tradhëtosh të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, kush voton LSI tradhëton të ardhmen e vendit të vet dhe të ardhmen e vet. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.