Balla takim me banorët e Funarit në Elbasan: Ndërtimi i rrugës do ta kthejë Funarin në një destinacion të rëndësishëm turistik

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorë të Funarit në Elbasan.

Në hyrje të fjalës së tij, Balla tha se vetëm falë mandatit të ri të 25 prillit, resurset natyrore të kësaj zone do të marrin vlerat që i takojnë.

“Ndërtimi i rrugës Dobaj-Funar do të jetë një investim që do ta kthejë Funarin në një destinacion të rëndësishëm turistik. Gjëja e parë që duam të bëjmë është të nxisim djemtë, burrat, gratë e kësaj zone të investojnë që shtëpitë e tyre të transformohen në bujtina. Do të fillojmë edhe rikonstruksionin e gjithë linjës së transmetimit të energjisë elektrike por nuk do të lemë pas edhe investimet në infrastrukturën shkollorë”, tha Balla.

Numri dy i PS, teksa u ndal tek procesi i vaksinimit u bëri thirrje personave mbi 60 vjeç të vaksinohen.

“Falë Edi Ramës ne arritëm të sigurojmë në kohë sasitë më të mëdha të vaksinave. Sot jemi ndër vendet e para në Ballkan, por në nivel të numrit të vaksinimit edhe në Europë”, tha Balla.

Sa i përket familjeve të prekura nga tërmeti në këtë zonë, Balla premtoi që para Vitit të Ri të këtij viti do të marrin dëmshpërblimet.

Kreu i grupit parlamentar të PS më tej, duke ritheksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 25 prillit tha se vetëm me kryeministrin Rama, Shqipëria do të ecë në rrugën e duhur.

“Kohë të vështira kanë nevojë për udhëheqës të fortë. Ne nuk mund t’ia besojmë timonin dikujt tjetër përveç se Edi Ramës. Na duhet një kryeministër që ta ketë Elbasanin në qendër të vëmendjes. Lista e PD nuk e përfaqëson aspak Elbasanin. Ndërsa lista e LSI është si një thes, ku janë futur brenda persona që kanë probleme me drejtësinë”, shtoi Balla.

Në fund të fjalës së tij, Balla nënvizoi se vetëm përmes një drejtësie të pavarur Shqipëria do të mund të shkojë drejt BE. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.