Balla në Librazhd: Votimi për Ilir Metën është veprimi më antikombëtar që mund të bëjë një votues shqiptar

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla në vijim të takimeve në kuadër të fushatës elektorale të 25 prillit u ndal në Librazhd, ku zhvilloi një takim me banorët e fshatit Polis.

Në hyrje të fjalës së tij, Balla e vuri theksin tek zgjerimi i ekonomisë së zonës.

“Ne duhet që ta hapim ekonominë e kësaj zone dhe t’i japim një dimension që nuk e kemi menduar më përpara. Jam shumë dakord që pengesa ishte rruga, ja pra rruga po mbaron, rruga do shkojë deri në zonat më të bukura të kësaj krahine dhe padyshim ne duam që ta shfrytëzojmë”, u shpreh Balla.

Po ashtu, Balla shpalosi edhe disa nga pikat e programit të cilat do të ndiqen brenda 4-vjeçarit të ardhshëm. Ai bëri edhe një paralelizëm të punëve që ka kryer Partia Socialiste dhe ajo Demokratike.

“Brenda këtij 4-vjeçari ne do ta kthejmë zonën e Polisit në një destinacion sepse rruga ishte pengesa. Mungesa e ujit ishte pengesa. Tani, unë jam i gatshëm të përballem me PD-istin më të paepur të zonës tonë dhe të më thotë dhe të krahasohemi. Ne kemi 7 vite e gjysmë, ata bënë 8 vite dhe le të më thotë se kur është investuar më shumë dhe si po investohet sot. Një gjë duhet ta dimë; të gjitha këto projekte të mëdha mund të na ngelin përgjysmë në rast se ne nuk bashkohemi kësaj radhe pa dallim sepse unë e di dhe dua të jua them shumë qartë. Sot vota për Partinë Demokratike është votë e shkuar dëm, çon ujë vetëm tek mulliri i Ilir Metës. Sot votimi për Ilir Metën është veprimi më antikombëtar që mund të bëjë një votues shqiptar”, tha Balla.

Si një nga pikat më kryesore dhe që kërkon ndërhyrje urgjente, Balla përmendi ujësjellësin e fshatit.

“Që të vazhdojmë punët e nisura, investimi në ujësjellës ishte fjala ime e dhënë dhe e vërteta është që këto janë dy punë në proces sikurse Shqipëria jonë e dashur është në proces të disa betejave më të mëdha dhe më të vështira se këto që kemi këtu”, pohoi ai.

Një mesazh falënderues, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit kishte edhe për Kryeministrin Edi Rama, falë të cilit, sipas Ballës, vendi ynë po del me ballin lart nga lufta me COVID-19.

“Falë vaksinimit, falë masave të marra në kohën e duhur të qeverisë Rama, ne jemi sot një vend që po i shkon në fund kësaj lufte e duke dalë nga kjo luftë me ballin lart. Në Librazhd ne po ecim shumë mirë me vaksinimin, thirrja ime është për këdo që ka mbushur moshën 60 vjeç, mos hezitoni këtu nuk e dëgjon njeri Saliun por edhe ndonjë që gënjehet nga rrenat e Saliut natë për natë në Facebook duhet të kuptojë që vaksinimi është e vetmja mënyrë që ne ta mbyllim historinë e pandemisë sa më shpejt, që ne t’i kthehemi normalitetit duke filluar nga fillimi i qershorit. Dua që brenda këtij viti të fillojë edhe pjesa tjetër e rrugës. Dua që brenda këtij viti, ne të kemi mundësi të vazhdojmë punët që kemi nisur këtu”, tha Balla.

Dhe së fundmi, por jo për nga rëndësia, Balla u shpreh se prioritet për zonën e Librazhdit do të jetë punësimi. Sipas tij, hapja e një njësie prodhimi në Polis, do të mundësonte punësimin e shumë grave e djemve.

“Ajo që unë do të bëj në mandatin tonë të ri është që ne duhet të hapim një njësi prodhimi në Polis. Ne duhet të krijojmë një njësi prodhimi që të punësohen gra dhe djem, sepse vetëm kështu mund të fillojmë të punojmë për të ndërtuar të ardhmen tonë këtu,” tha në mbyllje të fjalës së tij Taulant Balla. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.