ATHINË – Greqia do të lejojë hyrjen e turistëve të vaksinuar

ATHINË, 16 prill /ATSH-AFP/ – Greqia synon t’i japë fund karantinës për turistët e vaksinuar nga vende të caktuara duke filluar nga java e ardhshme, njoftoi qeveria greke, që kërkon të ringjallë industrinë e turizmit, e goditur rëndë nga pandemia.

Nisma është pjesë e një programi pilot, që do të lejojë hyrjen në vend për personat me të ashtuquajturën pasaportë vaksinimi, përpara hapjes zyrtare të sezonit turistik, i planifikuar për në mes të majit.

“Kjo është një hapje pilot”, tha zëdhënësja e qeverisë, Aristotelia Peloni, gjatë një konferencë për shtyp.

“Projekt ka të bëjë me vizitorë nga vendet europiane ose nga vendet e tjera që kanë ose një certifikatë vaksinimi ose teste shqyrtimi PCR”, shtoi ajo, pa dhënë detaje të tjera.

Përveç karantinës shtatëditore, udhëtarët që mbërrijnë aktualisht në Greqi duhet të paraqesin një test negativ për COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë.

Vetëm turistët izraelitë, të cilët janë vaksinuar, nuk u nënshtrohen këtyre detyrimeve, si rezultat i një marrëveshje dypalëshe.

Peloni sqaroi, gjithashtu, se udhëtarët do të duhet të ndjekin masat kufizuese në fuqi në Greqi, të tilla si kufizimet e udhëtimit midis komunave./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.