Ambasadori gjerman viziton Portin e Durrësit, në fokus thellimi i bashkëpunimit mes palëve

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kreu Ekzekutiv i Autoriteti Portual Durrës, Pirro Vengu, priti sot në një takim pune ambasadorin gjerman, Peter Zingraf, me të cilin bisedoi për zhvillimet që priten të ndodhin në portin më të madh në vend.

Amabasadori Zingraf, vlerësoi klimën pozitive të ofruar ndaj biznesit gjerman dhe u shpreh i gatshëm për rritje të mëtejshme të bashkëpunimit me Portin e Durrësit, si një ndër aktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe me potencial të rëndësishëm për shkëmbimet tregtare në rajonin tonë.

Pas prezantimit të zhvillimeve që pritet të ndodhin në Portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, Vengu e njohu ambasadorin me një hap të rëndësishëm që është ndërmarrë së fundmi për hapjen e Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare, një bashkëpunim i Autoritetit Portual dhe Universitetit të Durrësit.

“Kjo qendër pritet të luaj një rol kyç në formimin e profesionistëve të rinj të detarisë si dhe për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në të gjithë sektorin e transportit detar”, – tha Vengu./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.