Aeroporti i Kukësit/ Balluku: Tarifa konkurruese, sinergji pro turizmit me aeroportet e Tiranës e Vlorës

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shpjegoi detajet kryesore të aeroportit të Kukësit, i cili do të presë fluturimin e parë këtë të diel.

Gjatë një interviste në një media, Balluku foli për tarifat konkurruese, sinergji pro turizmit me aeroportin e Tiranës dhe Vlorës, si dhe strategjinë 10-vjeçare të fuqizimit të aviacionit në Shqipëri.

“Gjatë mandatit të dytë të qeverisë Rama ne kemi ngritur Planin Kombëtar të zhvillimit të Aviacionit Civil në Republikën e Shqipërisë për disa arsye. E para, është sigurisht për të krijuar akses lëvizje të lirë për qytetarët kudo që ndodhen pa i sanksionuar që duhet të vijnë të gjithë në Tiranë kudo që ndodhen. E dyta, dhe më e rëndësishmja, zhvillimi i turizmit është i lidhur me infrastrukturën e transportit dhe kryesisht me atë aeroportuale dhe detare. Prandaj ndërtimi i aeroporteve të reja në Republikën e Shqipërisë është një kërkesë për të pasur zhvillim të turizmit”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Çdo investitor i huaj, tha ministrja, që ka ardhur në Shqipëri ka kërkuar një nga kriteret e njohura në mbarë botën, 45 minuta larg aeroportit më të afërt, kështu që bëhej e pamundur nga momenti që 45 minuta larg Tiranës është Lushnja apo Lezha.

“Nëse duam të zhvillojmë veriun e vendit që ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik sa i përket bukurive dhe kulinarisë, nëse duam të zhvillojmë rivierën shqiptare, na duhet t’i përgjigjemi kërkesës sonë për zhvillim përmes ndërtimit të infrastrukturës aeroportuale”, tha Balluku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.