Shqipëria, eksportuese neto e energjisë/ Skavica, TEC-i i Vlorës dhe dy parqet eolike garanci për sovranitetin energjetik

TIRANË, 15 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se “Shqipëria do të bëhet eksportuese neto e energjisë dhe do të ketë të garantuar sovranitetin energjetik duke prodhuar këtu gjithë energjinë që na duhet”.

Në një takim me banorë të Lezhës, Kryeministri Rama tha se vetëm nga rindërtimi janë punësuar 25 mijë persona, ndërsa foli për investimet e mëdha në sektorin energjetik që do të sjellin akoma më tepër punësim.

“Por çfarë është rindërtimin si volum financimi krahasuar me gjithë këto kantiere? Çfarë është rindërtimi krahasuar me kantieret e energjisë?”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “ne e nisëm punën kur Shqipëria ishte në prag të kolapsit energjetik dhe financiar”.

Sot, vijoi ai, “ne kemi ende shumë për të investuar që të mos ndodhë askund që telat e korentit t’i marrë era, por të mos harrojmë se kemi investuar në gjithë sistemin e shpërndarjes më shumë se në të gjitha vitet e marra bashkë nga koha e elektrifikimit”.

Kryeministri u ndal te dy projekte të mëdha të paketës së investimeve në energji. “Kemi Skavicën në veri dhe TEC-in e Vlorës në jug, në bazë të marrëveshjes me qeverinë amerikane dhe dy kompanitë e mëdha amerikane. Po ashtu, kemi dhe dy parqet me energji diellore, parkun e Karavastasë më i madhi në Ballkan dhe atë të Spitallës që pritet të nisë nga puna”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.