Nga naftë falas, te heqja e TVSH për inputet bujqësore/ Peleshi: PS, gjithmonë përkrah njerëzve të punës


TIRANË, 15 prill /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, njëherazi kandidat për deputet i PS-së në qarkun Korçë, ishte në fshatin Baban të Devollit, ku takoi Gëzimin, i cili si shumë fermerë të tjerë në këtë zonë me mbështetjen e IPARD, ka modernizuar varietetet dhe mënyrën e kultivimit të mollëve.

“Kjo është një zgjedhje e guximshme, por që garanton cilësinë e prodhimit dhe shitjen e produkteve”, – tha Peleshi.

Ai tha se “PS është gjithmonë në krah të njerëzve të punës”.

“Modeli që ti ke ndjekur për të rinovuar fermën duke e kaluar atë nga një fermë të vjetër ekstensive, në një fermë moderne me teknologji bashkëkohore, të ka ndihmuar që të garantosh prodhim bujqësor cilësor dhe shitje të sigurt të këtij prodhimi”, tha Peleshi gjatë bashkëbisedimit me Gëzimin.

Ndërsa Gëzimi vuri në dukje se kish menduar gjatë për këtë investim që siç tha ai, “gjykuam se transformim i fermës tonë me standarde të teknologjisë bashkëkohore do të na japë më shumë të ardhura”.

“Fermën e kemi kultivuar me moll të varietetit Fuxhi që është mjaft e kërkuar nga tregu i huaj dhe një pjesët tjetër të fermës e kemi mbjellë me mollë të varietetit Gold që kërkohet më shumë nga konsumatorët vendas”, – theksoi fermeri.

Peleshi tha se “qarku i Korçës është kryeqendra e prodhimit të mollëve në rajon që arrin në 70 mijë deri 100 mijë tonë mollë. Kemi shumë fermerë që kanë investuar me mbështetjen financiare të dhënë nga program IPARD, duke rritur cilësinë e prodhimit dhe zgjeruar eksportet”.

“Nga viti në vit, ne kemi rritur programet e mbështetjes për bujqësinë, ndërsa IPARD është një dritare e hapur për të mbështetur çdo fermer që do të rrisë prodhimin dhe të ardhurat. Kemi ulur kostot e prodhimit përmes skemës së naftës falas për bujqësinë, hoqën TVSH e imputeve bujqësore dhe kemi rrugë përpara drejt zhvillimit të qëndrueshëm të këtij sektori”, – u shpreh Peleshi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.