“Na jepni një mundësi ta tregojmë se ia vlejmë”/ Shkodra nuk mund të përsërisë për 30 vjet të njëjtin gabim dhe të presë tjetër rezultat

TIRANË, 15 prill/ATSH-Maela Marini/ “Na jepni një mundësi ta tregojmë ia vlejmë apo jo”.

Kjo ishte thirrja që bëri sot nga Shkodra, Kryeministri Edi Rama, i cili iu drejtua qytetarëve shkodranë duke thënë se “nuk mund të përsërisin për 30 vjet të njëjtën gjë dhe të presin të kenë rezultat tjetër”.

“Jam shumë i vetëdijshëm se ne në të shkuarën nuk kemi arritur t’i japim Shkodrës një ofertë bindëse. Unë nuk e dua PS-në një parti për një pjesë kundër një pjese tjetër, një parti që jeton me veten dhe vetëm për veten, por të ketë mundësi dhe hapësirë për të gjithë ata që duan t’i bashkohen përpjekjes sonë për ta ngjitur Shqipërinë në majë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “kam ardhur këtu me Edonën dhe deri kur munda ta takoj dhe ta bind se duhej të përfshihej, pikërisht sepse ishte e pakënaqur, e mërzitur, e lodhur, kisha bërë më parë disa përpjekje”.

“Kisha takuar disa të tjera të të njëjtit profil, të të njëjtit karakter. Vajza e djem që jetojnë në Shkodër, janë profesionistë, nuk përzihen me politikën dhe partitë dhe u rren mendja që politika nuk do përzihet me ta”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “sa më shumë njerëzit me vlera të mos përzihen, aq më shumë jeta e tyre përzihet nga ata që e kthejnë partinë, bashkinë, politikën në monopol dhe nuk çahen”.

“Beneti nuk është socialist, i rreh zemra djathtas, është demokrat. Po pse jam këtu me Benetin? Se me të kemi punuar dhe kemi bërë shumë gjëra”, tha Rama.

Shkodra nëse do të ndryshojë, sipas tij, duhet t’i japi vetes një mundësi, një shans.

“E përsërit 30 vjet të njëjtën gjë dhe prit të kesh rezultat tjetër. Vetëm të jesh komplet jashtë mendjes. Kam shumë besim se me Edonën dhe Benetin, ky komunitet në Shkodër do të ketë dy njerëz të vetët. Ata me qafën e trashë do t’i quajnë komunistë patjetër, por unë po flas për ata shkodranë të arsyeshëm që rrinë anash. Për ato familje që rrinë anash, gra, nëna, si mund të rrini anash duke thënë ‘nuk ja vlen asnjëri’. Se sa ia vlejnë ata që kanë 30 vjet kjo është e qartë, ia vlejmë apo jo ne, na jepni një mundësi ta tregojmë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.