KABUL – Blinken në vizitë të paparalajmëruar në Afganistan

KABUL, 15 prill /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti sot në Kabul në një vizitë të paparalajmëruar, vetëm disa orë pasi presidenti Joe Biden njoftoi një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Pallati presidencial në Kabul bëri me dije nëpërmjet një cicërimë se Blinken, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë, ishte takuar me presidentin Ashraf Ghani në mesditë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se “qëllimi i vizitës është të riafirmohet partneriteti i vazhdueshëm i Uashingtonit me Afganistanin, përfshirë udhëheqësit dhe popullin, ndërsa SHBA hyn në kapitullin tjetër të këtij partneriteti”.

Presidenti Biden njoftoi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri më 11 shtator.

Data shënon 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 2001-shit në SHBA, që nxitën vendosjen e trupave amerikane në Afganistan.

Edhe NATO njoftoi, gjithashtu, përfundimin e misionit të saj në Afganistan./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.