Identifikim biometrik në të gjitha qendrat e votimit/ Celibashi: Ja procedura e rregullt e votimit

TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha sot se në zgjedhjet e 25 prillit përveç identifikimit biometrik të zgjedhësve, i cili do të bëhet në të gjitha qendrat e votimit, projektit pilot të votimit dhe numërimit elektronik, në këto zgjedhje do të ketë dhe kamera monitoruese në të gjitha qendrat e votimit dhe numërimit.

I ftuar në një emision televiziv, Celibashi shpjegoi procedurën që e bën të rregullt votimin më 25 prill.

“Zgjedh partinë dhe njërit prej kandidatëve të asaj partie, bën shenjën “X” në kuadrat.Rasti kur ti voton vetëm partinë politike apo koalicionin, por nuk zgjedh asnjë kandidat.Rasti i tretë është kur ti zgjedh vetëm kandidatin, nuk zgjedh logon e partisë. Në këtë rast, edhe pse ke votuar vetëm për kandidatin, vota shkon edhe për partinë. Duhet të fiksojnë të gjithë votuesit që ka vetëm tre mënyra për të votuar. Çdo mënyrë tjetër e bën të pavlefshme fletën e votimit”, tha ai.

Po ashtu, Celibashi u ndal edhe në projektin pilot lidhur me procesin e votimit, i realizuar në 32 qendra votimi.

“Nga ajo çfarë kemi testuar deri tani, duket se do të jetë një projekt i suksesshëm. Natyrshëm që kemi patur shumë pak kohë për ta përgatitur dhe me një kohë akoma më të gjatë, ti ke mundësi që të informosh dhe të edukosh votuesit më shumë. Sepse gjithsesi edhe pse procesi i votimit nëpërmjet makinës është i thjeshtë, ka nevojë në fakt për t’u familjarizuar. Është kosoto në fakt. Ne vetëm për 32 qendra votimi jemi detyruar që të paguajmë rreth 1.1 mln euro, por në fakt pjesën më të madhe të kësaj kostoje e zënë pajisjet, serverat të cilët si për 32 qendra votimi, si për 5 mijë, pak a shumë aq shkon”, tha Celibashi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.